Ballina Flash

Fluks vizitorësh gjatë shkurtit në kalanë e Gjirokastrës

TIRANË, 3 mars/ATSH/ Vizitat turistike në Kalanë e Gjirokastrës për periudhën 1 shkurt – 28 shkurt 2023 kanë ardhur duke u rritur, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, Gjirokastër bën të ditur se, “1745 vizitorë u regjistruan këtë shkurt, ose 895 vizitorë më shumë se gjatë të njëjtës periudhë në vitin 2022”.

Kalaja e Gjirokastrës është një ndër më të mëdhatë në Ballkan dhe mbetet atraksioni kryesor turistik i qytetit. Si një anije e madhe prej guri, ajo shtrihet në një hapësirë prej 335 metra. Kalaja ndodhet në kodër nga ku shihet gjithë qyteti, si për të dëshmuar historinë e gjithë rajonit në shekuj.

Zbulimet arkeologjike në zonën e kështjellës, tregojnë se ky vend është jetuar që nga shekujt IV-V. Sipas historianëve muret e parë të këtij fortifikimi mund të jenë ndërtuar pas rënies së Adrianopolisit. Por muret e para të qytezës u ndërtuan në shekujt 12-13. Kalaja u ndërtua fillimisht si një pronë tipike feudale të kohës, nga familje të pasura, që donin të ishin të sigurta dhe të mbroheshin nga luftrat e ndryshme. Më vonë ajo u kthye në një qendër të banuar për shumë familje të tjera.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakREPORTAZH – Faqja e njohur turistike: Në rilindjen e turizmit shqiptar, ushqimi po luan rolin kryesor
Artikulli tjetërRama për opozitën: Narrativë haluçinante dhe mërira HaxhiQamiliste ndaj zyrtarëve të huaj