TIRANË, 23 shkurt/ATSH – I. Vata/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi sot në Kuvend se, “ne flasim për integrimin evropian kur kemi shkatërruar parlamentarizmin në Shqipëri dhe kemi ngushtuar hapësirën e opozitës në proces”.
Duke diskutuar për Raportin Vjetor të Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian për vitin 2022, Tabaku tha se, “në parlament sot flitet si 13 vite më parë, për përfshirjen e opozitës në proces”.
“Procesi i integrimit kërkon gjithëpërfshirje, kërkon politikën që të angazhohet, kërkon njerëz të cilët duhet të jenë gati për institucione demokratike”, tha ajo.
“Është e papranueshme, e pakonceptueshme, jashtë çdo logjikë evropiane, që sot opozita shqiptare të luftojë për të drejtat bazë. Opozita ka fjalën në dorë, opozita ka kërkesën për mocion, interpelancën, kërkesën për komision hetimor. Të gjitha këto sot nuk lejohen. Unë besoj që është e kotë që të flasim për një proces, i cili që në krye të herës na vendos një pikëpyetje të madhe për demokracinë që ne po ndërtojmë”, tha Tabaku.
Në vijim, Tabaku tha se, sot kemi shkatërrim të parlamentarizmit në Shqipëri.
“Një republikë parlamentare nuk e fsheh qeverinë nga raportimi, një republikë parlamentare dhe një parlament dinjitoz dhe një parlament i gatshëm për procesin e integrimit, nuk e fsheh qeverinë nga llogaridhënia. Një vend demokratik, që ka synim procesin e integrimit, procesin e përafrimit me legjislacionin e BE-së, që ka për synim parimet dhe vlerat e BE-së, nuk e shkatërron parlamentarizmin për të mbrojtur qeverinë. E sot, pikërisht kjo po ndodh. Unë besoj se sot kemi një shkatërrim të parlamentarizmit”, u shpreh ajo.
“Unë besoj se për të ndërtuar Evropën këtu duhet të fillojmë nga parlamenti, fillohet nga klasa politike, nga ndarja e pushteteve, nga llogaridhënia, por sot kjo llogaridhënie nuk po ndodh. Sot, jo transparencë nuk po bëhet nga parlamenti, sot parlamenti nuk është tempulli i demokracisë dhe ruajtësi e gardiani i interesit të qytetarëve, sepse sot në parlament opozita nuk i ka instrumentet e saj. Në raportin e Progresit të vitit të kaluar institucioni që ju drejtoni ishte vlerësuar për disa elementë si puna në Komisionin Hetimor për inceneratorët dhe hapësira që i dha opozitës. Elementi i dytë ishin instrumentet parlamentare të përdorur nga deputetët dhe hapësira që ka opozita. Sot këto të gjitha janë në pikëpyetje”, theksoi ajo.
/gj.m/r.e/























