Ballina Flash

Programet e kodimit, iniciativa sipërmarrëse tek të rinjtë

TIRANË, 10 shkurt/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi dhe ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Edona Bilali morën pjesë në një takim me të rinj të qytetit të Shkodrës, ku bashkëbiseduan rreth Programit të Kodimit, për të rinjtë dhe startup-eve.

Në një postim në rrjetet sociale Muzhaqi tha se, “gjatë takimit informuan pjesëmarrësit për programin dhe se si kurset e formimit profesional u mundësojnë të ndryshojnë stilin e tyre të jetesës, të kenë të ardhura me standarde europiane dhe pse jo të jenë sipërmarrës të rinj në Shqipëri”.

“Të rinjtë që zgjedhin të ndjekin kurset profesionale, me mbështetje financiare nga qeveria shqiptare, kanë vetëm një kusht. Dy vite pas përfundimit të kursit ata duhet të qëndrojnë në Shqipëri, mund të punojnë për kompani ndërkombëtare, por vetëm online nga vendi ynë”, nënvizoi Muzhaqi.

Sipas saj, aplikimet për kurset profesionale vazhdojnë të jenë të hapura.

Njëkohësisht, edhe ministrja Bilali, në një postim në rrjetet sociale theksoi se, “programi i kodimit është përgjigja me ideale e qeverisë shqiptare në sfidën e profesioneve të reja dhe migrimit”.

“Në kuadër të thirrjes së Programit të Kodimit për të Rinjtë së bashku me ministren Bora Muzhaqi në Shkodër, në vijim të rritjes së shpejtë të nevojës për talente të reja në fushën e digjitalizimit të Shqipërisë. Mundësia që e lidh sot kodimin me sipërmarrjen është një nga qasjet më të rëndësishme në shoqërinë tonë, por edhe atë globale. Gjithnjë e më shumë, programet e kodimit po gjejnë hapësirë në inovacion dhe po zgjojnë iniciativa sipërmarrëse”, nënvizoi Bilali.

Ministrja Bilali u shpreh se, “falë mbështetjes së qeverisë shqiptare, ka nisur tashmë ndihma financiare për të gjithë të interesuarit që duan të ndjekin këto programe, sidomos pranë qendrave të formimit profesional në fushën e programimit kompjuterik dhe kodimit që të zhvillojnë aftësitë e tyre digjitale, duke i ofruar specializim në këto fusha edhe individëve pa përvojë në shkencat kompjuterike”.

Programi i kodimit përveç subvencionimit do të ofrojë dhe ndërlidhje me tregun e punës, për të thjeshtëzuar bashkëveprimin mes profilizimit të të rinjve e tregut të punës, si dhe për të mundësuar oferta punësimi për të rinjtë me paga të krahasueshme me tregun ndërkombëtar, menjëherë pas përfundimit të kursit.

Subvencionimi nga ana e qeverisë shkon deri në 50 % të kostos, ndërsa për disa kategori më vulnerabël shkon deri në 100 %.

/k.s/ /gj.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMbahet takimi i Komitetit shumëpalësh mbi Partneritetin për Qeverisje të Hapur
Artikulli tjetërMeta: Populli nesër në shesh për të kërkuar llogari