Ballina Aktualitet

Admiral Rob Bauer, leksion për kursantët e Kolegjit të Mbrojtjes dhe Sigurisë

TIRANË, 9 shkurt /ATSH/ Në vijim të vizitës zyrtare në vendin tonë, kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, admirali Rob Bauer, i shoqëruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Arben Kingji, zhvilluan sot një leksion për stafin akademik dhe kursantë të Kursit të Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm dhe Kursit të Lartë të Oficerit.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm gjithashtu, zv.shefja e Shtabit të Përgjithshëm të FARSH gjeneralmajor Manushaqe Shehu, komandantë Forcash, drejtorë të shtabit, të ftuar, staf akademik dhe kursantët e KKSHP dhe KLO-së.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneral brigade Arben Kingji, vlerësoi admiralin Bauer për vëmendjen dhe kohën e kushtuar për stafin akademik dhe kursantët e Kolegjit të Mbrojtjes dhe Sigurisë si një strukturë e re e FA-së.

“Që pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, në kemi hyrë në një epokë të re të sigurisë globale, në një epokë pasigurish. Jemi më se të ndërgjegjshëm që kjo luftë mund të ndikojë në rajon, në Ballkanin Perëndimor. Prezenca e Përparuar në kufirin lindor të Aleancës është thelbësore, por projektimi i stabilitetit përtej kufijve, përmirësimi i qëndrueshmërisë ndaj luftës hibride dhe forcimi i mbrojtjes kibernetike mbetet një sfidë kryesore. Siguria është një përpjekje ekipore dhe kontribut ekipor dhe Aleanca është epitet i unitetit dhe kohezionit”, u shpreh Kingji.

Gjatë fjalës së tij, admirali Bauer u shpreh se, “Shqipëria promovon stabilitet dhe bashkëpunim në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Aktivisht, kontribuon me trupa për sigurinë e Aleancës dhe është një mbrojtëse e fortë e Ukrainës. Mbrojtja kolektive është thellësisht e ndryshme nga menaxhimi i krizave. Në menaxhimin e krizave, koha ishte aleati ynë. Ne mund të planifikonim operacionet dhe misionet e menaxhimit të krizave. Por në mbrojtjen e përbashkët, koha përcaktohet nga kundërshtarët tanë. Ato janë ta që vendosin ku dhe kur fillon lufta. Kjo do të thotë që është në dorën tonë si Aleancë mbrojtëse të jemi gati për të pritur të papriturën, në çdo kohë, në çdo fushë, në çdo cep të Zonës së Operacionit”.

Në mesazhin drejtuar kursantëve theksoi që “roli i Kolegjit është që t’ju përgatisë për të papriturën. Edukimi ju përgatit ju, liderët e së ardhmes, të jeni të aftë të përshtateni dhe të merrni vendime në një mjedis të paqëndrueshëm. Çelësi është aftësia për t’u përshtatur. Ndihmon në gjetjen e zgjidhjeve dhe të jeni gati për çdo situatë. Nëse jeni të aftë të përshtateni, jeni të aftë të përballeni me të papriturën”.

Më pas aktiviteti u vijua me një sesion pyetje-përgjigje nga ana e kursantëve drejtuar admiralit Bauer, pyetje të përqendruara mbi luftën në Ukrainë dhe zhvillimet e sigurisë në rajonin e Ballkanit.

Përgjatë vizitës 3-ditore në Tiranë, kryetari të Komitetit Ushtarak të NATO-s admiral Rob Bauer, zhvilloi një vizitë në Regjimentin e Operacioneve Speciale, ku u njoh nga afër me kapacitetet operacionale dhe ushtarake të FARSH në kuadër të angazhimeve në operacionet dhe misionet e NATO-s.

/gj.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMomenti emocionues kur ekipi nga Kosova shpëton vogëlushen në Turqi
Artikulli tjetërRritja e punësimit dhe zgjerimi i pagave, BSH: Konsumi privat u rrit me 8.1%