TIRANË, 4 shkurt/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme Detare informoi sot se në bazë të parashikimit të situatës hidrometeorologjike për vendin tonë për datën 4-6 Shkurt 2023 moti do të përkeqësohet duke filluar pasditen e sotme përgjatë gjithë bregdetit shqiptar.
Era do të jetë me drejtimin veri, në forcën 7bft deri 8bft dhe me shpejtësi mbi 30m/s, ndërsa lartësia e dallgës do të arrijë deri në 4 metra.
Në portin Durrës tragetet që operojnë në linjën Durrës-Bari-Durrës nuk do të nisen ditën e sotme nga të dyja portet respektive. Ndërsa operimi i tragetit të linjës Durrës -Ankona-Durrës do vijojë normalisht.
Po ashtu, Drejtoria e Përgjithshme Detare njofton se në Portin e Vlorës linja Vlorë-Brindisi-Vlorë do të funksionojë normalisht.
Në portin e Sarandës anijet pasagjere të linjës Sarandë-Korfuz-Sarandë ditën e sotme do funksionojnë normalisht .
Në portin e Shëngjinit situata është e qetë dhe pa probleme.
Situata meteorologjike detare pritet që të përmirësohet ditën e hënë.
Për anijet e peshkimit dhe mjetet e vogla është pezulluar lundrimi deri në përmirësimin e situatës.
/m.m/























