Ballina Aktualitet

Balla: Shqipëria, atdhe i dytë për hebrenjtë

TIRANË, 26 janar /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla gjatë fjalës së tij në seancën e posaçme të Kuvendit në nderim të viktimave të Holokaustit tha se, “në një ditë si kjo e sotmja, ne nderojmë edhe veprën e shkëlqyer, në favor të mbrojtjes me çdo kusht të hebrenjve nga vende të ndryshme të Evropës, të cilëve i’u hap rruga për të ardhur lirisht dhe ligjërisht në Shqipëri”.

“Gjatë shekujve, ne shqiptarët, përjetësisht autoktonë në trojet tona, na është dashur të përballemi me pushtues të shumtë dhe të luftojmë për një kohë shumë të gjatë për lirinë tonë. Por ndërkohë gjatë gjithë këtyre shekujve, Shqipëria ka krijuar një kulturë të veçantë, kombëtare dhe një gjerdan të pasur vlerash, ku ndër to do të nënvizoja mikpritjen, e ilustruar më së miri në kodin tonë: shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e mikut”, u shpreh Balla.

Ai theksoi se, “historia e mikpritjes dhe përkujdesjes ndaj komunitetit të vogël hebre të Shqipërisë është ilustrimi më i mirë i këtij kodi. Dokumentet historike kanë treguar se ka ekzistuar një prani hebreje në Shqipëri që nga Shekulli i Dytë, por nga vitet 1930 prania e tyre ishte zvogëluar në vetëm 200 hebrenj. Në vitin 1932, në kohën kur antisemitizmi në Evropë ishte kthyer në doktrinë, Shqipëria u bë vendi i parë dhe i vetëm në kontinent që u njohu hebrenjve të drejtën e organizimit në bashkësi dhe legjitimoi shabbat-in. Është rasti i vetëm i diskriminimit pozitiv të hebrenjve gjatë dekadave kur bota lëngonte nga antisemitizmi i përhapur”.

Ai shtoi se, jo rastësisht qysh në vitet 1930 shtypi i Perëndimit e quante Shqipërinë një atdhe të dytë të hebrenjve.

Balla tha se, “një meritë të veçantë ka dhe një mik i shqiptarëve i atyre viteve ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Herman Bernshtajn, për instalimin në diplomacinë mbretërore të Shqipërisë të një ndjenje simpatie dhe të një përgjegjësie mbrojtjeje ndaj hebrenjve”.

Ai shtoi se, “ishte kjo qasje e cila mundësoi që brenda më pak se një dhjetëvjeçari pas shpërthimit të urrejtjes anti-semite, numri i hebrenjve në Shqipëri të dhjetëfishohej. Periudha e dytë e shpëtimit të hebrenjve është ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore”.

Balla theksoi se, populli shqiptar nuk shpëtoi vetëm hebrenjtë e vet, shqiptarët bënë detyrën që ju takonte të shpëtuan hebrenjtë e Evropës që trokitën në derën tonë dhe kërkuan besën e shqiptarit.

Ai u shpreh se, “sot në Evropë vërehet me shqetësim një rritje e tendencave ekstremiste si anti-semitizmi, ksenofobia apo islamofobia. Ishte pikërisht kjo retorikë që çoi në krimet më të tmerrshme kundër njerëzimit gjatë Luftës së Dytë Botërore”.

Balla theksoi se, është momenti të kundërshtojmë me forcë çdo shfaqje ekstremiste në rrjetet sociale apo nga politikanë të caktuar në Evropë.

“Së fundmi ne shqiptarët jemi vendosur nën sulme raciste nga politikanë të caktuar në Britaninë e Madhe apo ekstremistë të djathtë në Parlamentin Evropian”, vijoi ai.

Ai u shpreh se, “miratimi i përkufizimit mbi antisemitizmin, të përcaktuar nga Aleanca ndërkombëtare për përkujtimin e Holokaustit (IHRA), nga Kuvendi i Shqipërisë më 22 tetor 2020, përforcoi qëndrimin për të kundërshtuar çdo shfaqje të intolerancës dhe diskriminimit që mund të çojë në akte urrejtje dhe dhune, përfshirë dhe antisemitizmin”.

“Shqipëria është e palëkundur dhe pa asnjë hezitim e angazhuar në refuzimin dhe kundërshtimin e anti-semitizmit, në çdo formë dhe manifestim të tij. Siç edhe e thotë Presidenti Herzog, Shqipëria është një aleat i besueshëm në këtë përpjekje të vazhdueshme”, përfundoi Balla.

/gj.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakHeqja dorë nga ushqimet e përpunuara shmang Alzheimerin
Artikulli tjetërKOMENT – Herzog: A mund të imagjinohet një Evropë pa hebrenjtë Frojd, Ajnshtajn, Kafka apo Marks?