Ballina Flash

Gareth Bale fillon golfin

LONDËR, 25 janar /ATSH-AA/- Futbollisti anësor i Uellsit, Gareth Bale, i cili përfundoi karrierën aktive në futboll në moshën 33-vjeçare, njoftoi se do të marrë pjesë në një turne të golfit.

Në njoftimin e bërë nga rrjetet sociale, ish-kapiteni i Kombëtares së Uellsit në futboll, Bale, vetëm dy javë pasi e la futbollin, njoftoi se do të marrë pjesë në turneun e golfit PGA Tour.

Bale gjithashtu do të garojë në AT&T Pebble Beach Pro-Am në Kaliforni në muajin shkurt.

“Jam i lumtur të njoftoj se do të luaj në AT&T Pebble Beach Pro-Am në fillim të muajit të ardhshëm! Le t’ia fillojmë”, shkroi ai.

Ish-futbollisti 33-vjeçar, i cili karrierën në futboll e nisi në akademinë e Southampton-it, pasi luajti gjashtë sezone në Tottenham, në vitin 2013 u transferua në Real Madrid me një klauzolë prej 101 milionë eurosh.

Bale me Real Madrid arriti të fitojë pesë herë Ligën e Kampionëve të UEFA-së, ndërsa për shkak të lëndimeve të gjata nuk mundi të luante rregullisht.  /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak”Netflix” heq bashkëpërdorimin e fjalëkalimit e fjalëkalimit
Artikulli tjetërBerisha: Rama i përfshirë në një nga aferat më të zeza të kohërave