TIRANË, 15 janar/ATSH/- Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka përkujtuar sot Masakrën e Reçakut e cila tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Xhaçka shprehet se “përkujtojmë sot me nderim 45 burrat, gratë dhe fëmijët e pafajshëm që u masakruan në Raçak nga regjimi serb, në një akt të vrasjes së qëllimshme dhe pa dallim”.
Kryediplomatja shqiptare thekson se sot kujtimi i tyre dhe kujtimi i mijëra burrave, grave dhe fëmijëve të vrarë në krime të tjera të panumërta të luftës të kryera nga regjimi serb në Kosovë kërkon ende drejtësi dhe pajtim.
Por, gjithashtu, vijoi ministrja Xhaçka, kjo masakër shërben si një kujtesë e fuqishme se sa shumë i gjithë rajoni ynë duhet të punojë së bashku për të ndërtuar një të ardhme të paqtë dhe me prosperitet, e qeverisur me një filozofi që refuzon mentalitetin e genocidit i cili ishte përgjegjës për masakrën në Raçak.
Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur.
Pas Reçakut, çështja e Kosovës do të jetë në një konferencë ndërkombëtare në Rambuje e në Paris, mossuksesi i të cilës do të ndikonte në ndërhyrjen e NATO-së kundër forcave ushtarake serbe, largimin e tyre nga Kosova dhe vendosjen e administratës ndërkombëtare në Kosovë























