TIRANË, 13 janar/ATSH/ Në qytetin e Lezhës pritet të fillojë të hënën puna për transformimin e shëtitores dhe lulishtes pranë lumit Drin.
Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama, i cili ndau në rrjetet sociale pamje nga projekti për transformimin e kësaj shëtitoreje.
Rama tha se “shëtitorja krahas hapësirës së dedikuar për qytetarët, do të jetë edhe në shërbim të turizmit, duke i nxjerrë më në pah vlerat e Memorialit të Skënderbeut që ndodhet përballë saj dhe që përbën njërin prej monumenteve më të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë”.
Projektet investuese në Lezhë e kanë transformuar këtë qytet duke mundësuar pamje të re moderne e hapësira cilësore për banorët, por edhe për vizitorët.
E shtrirë në të dy anët e lumit Drin, e rrethuar nga lagunat Kune e Vain, si dhe nga plazhi i bukur i Shëngjinit, Lezha ofron bukuri natyrore të larmishme dhe mundësi të shumta për zhvillimin e turizmit jo vetëm brenda territorit të saj, por edhe në një distancë të afërt.
/k.s/j.p/























