Ballina Aktualitet

Balla: Gara për Avokatin e Popullit, e hapur

TIRANË, 12 janar/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se “gara për përzgjedhjen e kandidaturës për Avokatin e Popullit do të jetë e hapur”.

Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, Balla iu përgjigj interesimit të gazetarëve mbi procesin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit.

“Sapo të fillojë sesioni parlamentar në datën 16 janar, do të ketë komunikim në Kuvend të komisionit të ligjeve. Mendoj se duhet të jetë një proces i hapur. Sa më shpejt të jetë e mundur duhet t’i japim Shqipërisë një Avokat të Popullit që të jetë realisht avokat i popullit jo avokat i PD-së në zyrën e Avokatit të Popullit”, tha Balla.

Sipas tij, “opozita e pati gjithë hapësirën dhe kohën e nevojshme, 8 muaj për t’i dhënë vendit një Avokat Populli dhe nuk e shfrytëzoi”.

“Ne duhet t’i japim mundësinë kujtdo të shprehë interesin. Do të jetë një proces i hapur. Në atë proces e kemi thënë se ka një traditë se opozita propozon Avokatin e Popullit, por nuk bën emërimin të cilin e ka Kuvendi”, tha Balla.

Ai theksoi se “gara do të jetë e hapur”, ndërsa ftoi ata që plotësojnë kriteret e përcaktuara nga ligji që të kandidojnë. “I bëj thirrje opozitës që në demokraci duhet të biesh dakord ose të negociosh për të rënë dakord”, tha ai./j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – Modi: Modeli i qeverisjes globale duhet të ndryshojë
Artikulli tjetërTeliti: Çmimet e larta të banesave, pastrim i parave në sektorin e ndërtimit