Ballina Flash

AKZM: Census ndërkombëtar për shpendët ujorë dimërues

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura informoi sot se, në 14 -15 janar 2023, do të zhvillohet censusi ndërkombëtar i shpendëve ujorë dimërues.

Mbështetur në Konventat Ndërkombëtare dhe legjislacionin shqiptar për mbrojtjen e faunës së egër, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura prej vitesh është përfshirë në realizimin e këtij censusi.

Rreth 97 ekspertë nga 12 drejtoritë rajonale të zonave të mbrojtura do të bëhen pjesë e procesit të numërimit, në bashkëpunim të ngushtë edhe me ekspertë, ornitologë, biologë, shoqata mjedisore, OJF, studentë etj.

Censusi i shpendëve dimërues i realizuar në Shqipëri përgjatë vitit 2022, bëri të mundur numërimin e 138.494 individëve, ku u identifikuan rreth 64 lloje, në 33 zona.

Shqipëria i është bashkuar censusit ndërkombëtar të shpendëve të ujit që në vitin 1993, ku fillimisht ky census u zhvillua në habitatet bregdetare dhe liqenin e Shkodrës. Në nivel ndërkombëtar censusi ka filluar që në vitin 1967.

/k.s/ /gj.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakUKRAINË – Zelensky: Lufta po vazhdon në Soledar
Artikulli tjetërParashikimi i motit, e enjte, 12 janar 2023