Ballina Aktualitet

Rama-Shehajt: Akuza penale pa fakte

TIRANË, 21 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot në Kuvend pas akuzave të deputetit demokrat, Agron Shehaj, i cili u shpreh se kryeministri qëndron pas një kompanie offshore holandeze.

“Akuzat ekstreme mund të bëhen vetëm në bazë të provave. Ju nuk mund dot të zini foltoren e Kuvendit dhe t’i drejtoheni një publiku të tërë duke thënë se kryeministri fshihet pas një kompanie offshore. Nëse kjo është e vërtetë këtu duhet menjëherë të veprojë drejtësia mbi bazën e provës që ju keni kur thoni këtë. Është njësoj sikur të them unë Shehaj jeni në kërkim ndërkombëtar, por duhet të japë një provë për këtë. Bëtë gjithë atë akuzë dhe në fund fare ju thashë me shumë mirësi ma jepni provën mbi bazën e të cilës nxirrni këtë konkluzion dhe ju dolët e folët përçart, përmendët ca emra që unë as i njoh, as nuk i kam takuar kurrë”, tha Rama.

Rama tha se ata që vijnë këtu dhe bëjnë akuza penale ekstreme pa fakte, ose i bëjnë vetë ato ose po të ishin në pozitën që kishin mundësi ta bënin do ta kishin bërë.

“Mua nuk më shkon mendja të akuzoj për çudira. Si të shkon mendja? Tani ose bën vetë ose je idiot se nuk shoh asnjë mundësi tjetër”, tha Rama.

Deputeti demokrat Agron Shehaj u shpreh sot në Kuvend se “inceneratori i Tiranës i është dhënë Klodian Zotos”. “Ju në fillim thatë që s’do ishte Zoto por do ishte një sipërmarrje e madhe italiane. Pastaj zbuluam që nuk kishte kompani të huaj, ishte i njëjti njeri që kishte marrë Elbasanin. Të njëjtën ditë që firmosët kontratën, Zoto ia transferoi kontratën një kompania offshore në Holandë. Inceneratori i Tiranës vazhdon të jetë në pronësi të një kompania offshore në Holandë, teorikisht. Pse jeni ju? Vazhdimi i pagesave, pavarësisht se SPAK thotë se janë të korruptuar, kjo më bën të mendoj që pas këtij skandali, pas inceneratorit të Tiranës mund të jeni vetëm ju. Ose hajde na thoni se jeni të paaftë ju, gënjen Zoto, ose jeni ju pronarët e vërtetë”, tha Shehaj.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRIGE – Estonia zhvendos statujën e diskutueshme të Leninit
Artikulli tjetërKorreshi: Ligji për vreshtarinë i vonuar si çdo gjë në këtë vend