Ballina Ekonomi

Ibrahimaj: Impakti i infrastrukturës, ndikim në turizëm dhe rikuperimin e ekonomisë

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj, tha se qeveria ka parashikuar në buxhetin 2023 një fond prej 2.4 miliardë lekë për mirëmbajtjen e rrugëve.

Gjatë diskutimit sot në Kuvend të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes për ndryshimin e huasë ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim, për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan-Qukës- Qafë-Plloçë”, Ibrahimaj vuri në dukje se kjo marrëveshje ka një hua shtesë prej 49 milionë usd.

“Ky projekt ka rëndësi të veçantë se është pjesë e korridorit 8-të”, theksoi ajo, teksa vuri në dukje se, prioritet në buxhetin 2023, janë veprat infrastrukturore me standarde europiane që sigurojnë qarkullim më të mirë të mallrave e shërbimeve.

Ibrahimaj tha se, impakti i infrastrukturës u ndje edhe në fushën e turizmit, ku ky sektor gjatë vitit që kaloi tregoi se ishte një nga injektuesit më të mirë të ekonomisë që ndihmoi në rikuperimin e ekonomisë dhe kjo falë investimeve në infrastrukturën rrugore.

“Me përfundimin e rrugës 43.3 km shkurtohet me mbi 1 orë koha e rrugës Tiranë- Korçë, ndërsa zbulohet Mokra një pol agroturistik që ndikon në ekonominë lokale dhe kjo arterie e re rrugore krijon lidhje të re me vendet si Greqi dhe Maqedoni e Veriut”, tha ministrja.

“Deri tani janë realizuar 51% e punimeve dhe ndërtimi i plotë i rrugës parashikohet të përfundoj në 2025, nga e cila përfitojnë 6 mijë qytetarë”, theksoi Ibrahimaj.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKuvendi vijon nesër seancën plenare
Artikulli tjetërParashikimi i motit, e enjte, 22 dhjetor 2022