TIRANË, 15 dhjetor/ATSH/ Korporata Elektroenergjetike Shqiptare informoi se ka shitur rreth 14 928 MWh energji elektrike të ndarë në 3 lote për periudhën 16-18 dhjetor.
Në lotin e parë KESH arriti të shesë 6000 MWh me një çmim të ponderuar prej 115 euro/MWh. Në lotin e dytë KESH shiti 4800 MWh me një çmim të ponderuar prej 198.94 euro për MWh. Ndërsa në lotin e tretë KESH shiti 4128 MWh me një çmim të ponderuar prej 147.38 euro/MWh.
Reshjet përgjatë muajit nëntor, por edhe ato të këtyre ditëve, përmirësuan situatën hidrike në kaskadën e Drinit, duke bërë të mundur jo vetëm plotësimin e nevojave për energji në vend, por edhe shitjen e saj apo depozitimin.
Nisur nga përmirësimi i situatës hidrike, qeveria vendosi të mos aplikojë edhe për dhjetorin fashën 800 kWh, mbi të cilën konsumatorët familjarë do të faturoheshin me 42 lekë për çdo kWh të konsumuar.
Ndërkohë që Enti Rregullator i Energjisë ditën e djeshme ka shfuqizuar vendimin për aplikimin e fashës 800 kWh për abonentët familjarë.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri të ditur një ditë më parë se niveli në basenin e Fierzës ka arritur në 280 m, nga 267 m që ishte në fillim të muajit nëntor.
Ndërkohë është akumuluar një rezervë prej 340 gigavat-orë energji elektrike, duke e çuar nivelin e rezervës në 919 gigavat-orë, nga 579 gigavat-orë që ishte në fillim të nëntorit.
Nga ana tjetër konsumi ditor llogaritet 17 800 megavat-orë.

/r.e/












