TIRANË, 1 dhjetor/ATSH – I. Vata/ Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi deklaroi sot se është hap shumë i gabuar i Partisë Demokratike dhe opozitës në tërësi, për të protestuar më 6 dhjetor, në të njëjtën ditë kur në Tiranë do të mbahet samiti BE-Ballkani Perëndimor.
Në një intervistë televizive Koçi tha se me 6 dhjetor, ditën e samitit të BE-së Shqipëria duhet të dëshmojë se ka unitet kombëtar.
“Mendoj që është një hap shumë i gabuar i opozitës, sepse data 6 dhjetor, është datë shumë e rëndësishme jo vetëm për politikën shqiptare, por për marrëdhëniet e BE me Ballkanin Perëndimor dhe zgjedhja e Tiranës kuptohet është një gjë shumë sinjifikative. Mendoj se në raport me integrimin evropian, Shqipëria duhet të dëshmojë se ka unitet kombëtar. Pra nuk ka asnjë lloj mesazhi përçarjeje pavarësisht përplasjeve të brendshme që janë të natyrshme të ketë një vend si Shqipëria, edhe duke patur parasysh dhe bilancin historik të marrëdhënive PD-PS”, tha ai. /j.p/






















