TIRANË, 28 nëntor/ATSH/- Për nder të 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, flamuri kombëtar u ngrit në Bashkinë e Otavës, kryeqytetit federal të Kanadasë.
Në këtë ceremoni merrnin pjesë Ambasadori Ermal Muça dhe Heidi Kutz, Drejtore e Përgjithshme për Arktikun, Evropën dhe Euroazinë pranë Departamentit të Punëve të Jashtme, Tregtisë dhe Zhvillimit të Kanadasë.
Krahas urimeve për 110 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë që këtë vit përkon edhe me 35-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë dhe Kanadasë, ata vlerësuan zhvillimin e marrëdhënieve të forta ndërmjet dy vendeve, si edhe angazhimin e përbashkët për thellimin e mëtejshëm të tyre.
Kutz vlerësoi, krahas të tjerash, përparimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit të plotë në Bashkimin Evropian, si edhe rolin aktiv të vendit tonë si anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB.
Më pas, së bashku me Adriatik Kryeziu, ambasador i Republikës së Kosovës, ata ngritën flamurin nën tingujt e Himnit Kombëtar, pasuar nga “O Canada” .
Ceremonia vijoi në ambientet e ambasadës së Shqipërisë në Otava ku performoi në violinë studentja shqiptare Vasilika Vangjeli.
































