TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Korporata Elektroenergjetike Shqiptare informoi se ka shitur rreth 10 000 MWh energji elektrike të ndarë në 2 lote për periudhën 26-29 nëntor.
Në lotin e parë KESH arriti të shesë 4800 MWh me një çmim të ponderuar prej 147.77 euro/MWh. Në lotin e dytë KESH shiti 5200 MWh me një çmim të ponderuar prej 285.75 euro për MWh.
Administratori i KESH-it, Ergys Verdho një ditë më parë në një intervistë në media bëri të ditur se për 6 ditët që vendi u përfshi nga reshje shiu me intensitet të lartë u arkëtuan 9 milionë euro nga shitja e energjisë.
Ndërkohë hidrocentrali i Fierzës vazhdon të jetë i mbyllur, me qëllim rritjen e nivelit të liqenit. Nevoja për konsum brenda vendit, por edhe sasia e shitur është kryer nga puna në dy HEC-et e tjera të kaskadës, Komanit dhe Vaut të Dejës.

/j.p/r.e/






















