Ballina Ekonomi

Balluku: Korridori 8 të përfshihet në Core Network 

TIRANË, 14 nëntor/ATSH/ Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, në fjalën e saj në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive që po mbahet në Shkup, deklaroi se lobimi pranë BE-së për sigurimin e financimit të Korridorit 8 është mjaft i rëndësishëm.

Zv/kryeministrja vuri në dukje se kostoja e ndërtimit të hekurudhës dhe autostradës, pjesë të Korridorit 8, janë të rënda për buxhetet e dy shteteve.

“Korridori 8 është një nga projektet më të rëndësishme dhe vitale për dy vendet tona. Por edhe dy vende të BE, Italia dhe Bullgaria kanë shprehur dëshirën për të na mbështetur. Do të na ndihmonte zëri i tyre. Korridori 8 është i rëndësishëm jo vetëm për shkak të ndërlidhjes së transportit rrugor me atë hekurudhor, por edhe për shkak të çështjeve të sigurisë që sot ngrihen, pasi do të lidhte Mesdheun me Detin e Zi. Ne besojmë se zëri i këtyre dy shteteve, pjesë e BE-së, do të na ndihmojë që ky projekt të përfshihet në Core Network (që është rrjeti kryesor që përfshin lidhjet më të rëndësishme, duke lidhur nyjet më të rëndësishme dhe do të përfundojë deri në vitin 2030). Përfshirja na jep mundësinë që të aplikojmë në thirrjet e ndryshme për të siguruar financim”, tha Balluku.

Korridori 8, është një nga dhjetë “korridoret transevropiane” të cilat janë konceptuar për të lehtësuar shkëmbimin e mallrave, njerëzve, naftës dhe furnizimeve me energji midis vendeve të BE-së, shteteve të Ballkanit që kanë dalje në Detin e Zi dhe Detin Kaspik dhe shteteve të Azisë Qendrore.

Ky korridor nis nga portet italiane të Barit dhe Brindizit, në portin e Durrësit dhe më pas vazhdon drejt Tiranës, Shkupit dhe Sofjes, duke mbërritur deri në portet e Burgasit në Varna në Detin e Zi.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakÇuçi: Pika doganore me një ndalesë në kufirin e Qafë-Thanës
Artikulli tjetërKovaçevski: Bashkëpunim për tejkalim të krizave aktuale