Ballina Flash

Kushi: Gjimnazi “Sami Frashëri”, shkollë dhe qendër komunitare

TIRANË, 12 nëntor/ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi mori pjesë sot në 60-vjetorin e hapjes së gjimnazit “Sami Frashëri”, ku shprehu krenarinë që ky 60-vjetor e gjen gjimnazin me godinë të mrekullueshme që nuk është tashmë vetëm një shkollë, por është një “Shkollë Qendër Komunitare”.

Kushi theksoi se “në këtë shkollë përveç procesit mësimor me standarde ndër më të mirat,  zhvillohen edhe shumë aktivitete e veprimtari. Këtu kemi konkurse, panaire, kemi takime me mësues, madje nga gjithë Shqipëria. Këtu kemi një laborator, sepse po zbatohet projekti i Inteligjencës Artificiale”.

“Këtu kemi palestër ultramoderne ku projekti ynë i ekipeve sportive po zbatohet me shumë sukses. E pra, është kënaqësi çdo herë që vij në këtë gjimnaz. Dhe nuk e shmang dot pa e thënë, që çdo herë që vij, më kujtohet ajo balta apo akuzat në momentin kur morëm vendimin për ta ndërtuar nga e para këtë shkollë. Na akuzuan që do të ndërtojmë pallat, kullë etj. Por ja ku jemi sot, kjo është një shkollë, vërtetë duket si një hotel me 5 yje, por është një shkollë që i shërben nxënësve, mësuesve dhe gjithë komunitetit përreth”, nënvizoi Kushi.

Ministrja Kushi u shpreh se “kjo shkollë është një shembull se si tërmeti i 26 nëntorit përtej dhimbjes që la pas, na dha më shumë forcë, na dha më shumë energji për t’u ringritur edhe më të sigurt se më parë”.

Kushi theksoi se “do të kisha dashur shumë që kjo shkollë sot të ishte një shembull edhe për diçka tjetër. Të ishte një shembull për të na bërë të gjithëve bashkë. Që t’i harronim ato akuzat, çfarë u thanë e çfarë nuk u thanë dhe sot do të kisha dashur shumë që ftesën ta kishin pranuar edhe ata përfaqësues të forcave të tjera politike, që kjo shkollë të jetë shembull që kur është fjala për arsimin ne jemi të gjithë bashkë për të punuar për brezin e ri, për ta çuar përpara, për të ardhmen e Shqipërisë”.

“Ne jemi duke punuar për renditjen e gjimnazeve të të gjithë Shqipërisë, kemi ngritur një grup pune dhe jam e bindur që gjimnazi “Sami Frashëri” do të jetë ndër më të mirët. Kështu që është përgjegjësi e stafit mësimor këtu, por edhe e nxënësve, që këtë emër, këtë reputacion të gjimnazit  ta çojnë edhe më përpara”, tha Kushi.

/k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakIsh-mësuesja e “Sami Frashërit”: Erioni ka bërë të pamundurën për këtë shkollë
Artikulli tjetërZgjerim i rrugës që lidh aeroportin e Vlorës me autostradën Fier-Vlorë