TIRANË, 12 nëntor/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se “Sali Berisha u takua me iniciuesin e mocionit kundër Kosovës në Tiranë, vetëm 37 ditë para votimit në Strasburg të Rezolutës së Këshillit të Europës bazuar në një raport të sajuar, mbështetur dhe sponsorizuar haptazi nga Kremlini”.
“Tradhtia ka emër! Më 17 dhjetor 2010, Sali Berisha është takuar në godinën e Kryeministrisë në Tiranë me të besuarin e Vladimir Putinit, kryetarin e Komisionit të Jashtëm të Dumës shtetërore ruse, Kontantin Kosachev”, tha Balla.
Balla kujtoi se Konstantin Kosachev ishte iniciuesi i mocionit për rezolutë, prej ku më pas u hartua një raport e në fund Rezoluta 1782 (2011) e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (“APKiE”) për “hetimin e pretendimeve për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë”.
Balla parashtroi disa pyetje mbi këtë vizitë në Tiranë, vetëm 1 muaj para votimit të rezolutës nga KiE.
“Pse erdhi në Tiranë i besuari i Putinit vetëm një muaj para votimit të Rezolutës? Si dhe sa e shiti Sali Berisha votën dhe heshtjen e qeverisë shqiptare asokohe ndaj kësaj rezolute?
Si hyri Partia Demokratike në ‘borderonë’ e Kremlinit pas këtij takimi dhe sa milionë rubla janë transferuar në llogaritë apo në interes të Sali Berishës?”, pyet Balla.
/m.m/j.p/












