TIRANË, 9 nëntor /ATSH/ Këshilli i Lartë Gjyqësor i Shqipërisë dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës zhvilluan një aktivitet të përbashkët në Tiranë për shkëmbimin e përvojës mbi cilësinë e sistemit të drejtësisë dhe sfidat e përbashkëta.
KLGJ bën të ditur se, diskutimet u fokusuan në statistikat gjyqësore për të vlerësuar efikasitetin, cilësinë dhe reformat gjyqësore, vlerësimin e performancës së gjyqtarit, digjitalizimin e drejtësisë, përdorimin e mekanizmave alternative për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, menaxhimin e kohës gjyqësore dhe veprimet për të reduktuar çështjet e mbartura, me prezantime nga ekspertë të nivelit të lartë të CEPEJ mbi mjetet, treguesit dhe praktikat e mira të CEPEJ-it.
Gjithashtu, në këtë aktivitet u prezantuan dhe rezultatet e raportit të tretë të Panelit të Ballkanit Perëndimor për vitin 2021.
Ky aktivitet u organizua bashkërisht nga projektet e CEPEJ-it në rajon, përkatësisht KoSEJ II “Forcimi i Cilësisë dhe Efikasitetit të Drejtësisë në Kosovë”, projekti rajonal “Drejt një vlerësimi më të mirë të rezultateve të reformave gjyqësore në Ballkanin Perëndimor – Paneli Ballkani Perëndimor” dhe projekti SEJ III “Forcimi i Cilësisë dhe Eficiencës së Drejtësisë në Shqipëri”, pjesë të programit të përbashkët të titulluar “Instrumentit Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë – faza II”, të bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës dhe të zbatuara nga Këshilli i Evropës.
/r.e/













