TIRANË, 7 nëntor /ATSH/ Kryetarja e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale në Partinë Demokratike, Albana Vokshi u shpreh sot se janë 7 kandidatë që kanë dorëzuar dokumentacionin për primaret për bashkinë e Tiranës.
“Për Tiranën, në orët e vona të ditës së mbrëmshme janë marrë dokumentacionet nga 16 degët e Tiranës. Për shkak të intensitetit shumë të lartë të procesit, për shkak të interesit po aq të lartë për primaret, KOKOE ka qenë e mbledhur çdo ditë, pra edhe në fund të javës. Sot KOKOE ka shqyrtuar të gjithë dokumentacionin e ardhur nga 16 degët e Tiranës. Dua të sqaroj që KOKOE nuk përcakton, nuk vlerëson kandidaturat, por vetëm shqyrton nëse dokumentacioni është plotësuar konform vendimeve përkatëse”, tha Vokshi në një deklaratë nga selia e PD.
Vokshi bëri të ditur emrat e personave që janë vetëkandiduar nga 16 degët për bashkinë Tiranë dhe që kanë plotësuar dokumentacionin përkatës.
Ata janë Adriana Kalaja, Belind Këlliçi, Enkelejda Fejzo, Fatmir Merkoçi, Gerti Bogdani, Ilir Alimehmeti, Julian Deda.
Vokshi u shpreh se, “në bazë të nenit 12 të statutit të PD, emrat i kalojnë për shqyrtim dhe për vendimmarrje Kryesisë së PD, e cila do të mblidhet në ditët në vijim”.
“KOKOE do të mblidhet përsëri sot për të marrë në shqyrtim dokumentacionin e ardhur dhe nga degët e tjera, apo për të marrë në shqyrtim disa kërkesa që i janë adresuar në emër të KOKOE për shtyrje afati në degë të caktuara”, tha Vokshi.
/r.e/





















