Ballina Flash

Shfaqja koreografike “ACTUS për Vjosën”, tur edhe në Greqi

TIRANË, 7 nëntor/ATSH/ “ACTUS, për Vjosën”, shfaqja e mrekullueshme koreografike, si homazh për bukurinë e lumit të egër Vjosa, pas premierës në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë, vijoi rrugëtimin e saj në një tur frymëzues duke performuar edhe në Janinë, si një vlerësim edhe për pjesën e lumit Aoos në Greqi, pjesë e rrjedhës së Vjosës.

E krijuar nga koreografi i mirënjohur me famë botërore, Gentian Doda dhe kompozitori Çezar Aliaj “ACTUS, për Vjosën” bashkoi në një performancë të jashtëzakonshme artistike 10 balerinë ndërkombëtarë, të frymëzuar për të personifikuar me performancën e tyre shpirtin e egër dhe rrjedhën natyrale të Vjosës, si mrekulli e paprekur e Europës.

Kjo vepër artistike është produksion i “Was bleibt kollektiv | Gentian Doda” – e komisionuar nga Fondacioni Heinrich Böll, dhe mbështetur nga Riverwatch, EuroNatur, Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri, EcoAlbania dhe Ambasada gjermane në Shqipëri.

Përmes këtij krijimi, “ACTUS për Vosën” synon që të përcjellë mesazhin se njerëzimi i përket natyrës.  Frymëzuar nga Cantata 106 e Bach, dhe bazuar në disa koncepte polifonike, krijimi reflekton motive nga trashëgimia kulturore shqiptare, duke ia sjellë këto vlera përmes artit, botës bashkëkohore. Misioni i kësaj vepre artistike është të rrisë ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e kujdesit për burimet e natyrës, bazuar në rastin specifik të mbrojtjes së lumit Vjosa.

Kjo shfaqje koreografike bashkëkohore, e para në llojin e vet për lumin Vjosa, vjen në një moment të veçantë. Pas nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit midis Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë dhe kompanisë amerikane “Patagonia” në qershor 2022, një grup ekspertësh shqiptarë dhe ndërkombëtarë po punojnë për kriteret e shpalljes së Vjosës Park Kombëtar, i pari lumë i egër në Europë që do të ketë këtë status, por edhe duke vendosur një praktikë të re globale, në mbrojtjen e ekosistemeve natyrore në vende të ndryshme të botës.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKOMENT – Mbijetesa e konservatorëve varet nga miti i sajuar i krizës së emigrantëve
Artikulli tjetërArjan Hoxha paraqet kandidaturën në primare për bashkinë Kamzë