Ballina Flash

Boçi: Çdo abuzim po denoncohet në SPAK

TIRANË, 5 nëntor/ATSH/- Nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi deklaroi sot se janë 870 milion lekë abuzim për blerje karburanti e lubrifikantësh.

Ai tha se “që nga muaji shtator i vitit 2019, pas zgjedhjeve njëpartiake në Bashkinë Vau Dejës, e  deri më sot janë shpenzuar 870 milion lekë, për karburant e lubrifikantë nga administrata e Bashkisë”.

Nënkryetari i PD, u shpreh se Bashkia ia ka kaluar shërbimin e pastrimit të qytetit operatorëve privatë, ç’ka ka sjellë edhe nxjerrjen jashtë përdorimit të mjeteve të pastrimit, pronë e Bashkisë Vau Dejës, të cilat sot nuk dihet as se ku ndodhen.

“Kjo do të thotë që ai karburant që do shpenzohej për këto makineri të tonazhit të rëndë duhej hequr nga lista e shpenzimeve. Një element tjetër që e nxjerr në pah dhe e thellon vjedhjen është edhe pretendimi i bashkisë së Vaut të Dejës se ka kryer pastrimin dhe rehabilitimin e kanaleve kullues të zonës”, u shpreh ai duke shtuar se nuk është e vërtetë.

Ai tha se vlera totale e këtyre ndërhyrjeve është 526 milion lekë, financuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Boçi i bëri thirrje  administratës së kësaj bashkie, në mënyrë të veçantë, Anëtarëve të Njësisë së Prokurimeve, Komisioneve të vlerësimit të Ofertave, Komisioneve të monitorimit dhe marrjes në dorëzim të kontratave publike, që të distancohen nga çdo abuzim me taksat e qytetarëve të Bashkisë Vau Dejës, pasi çdo ankesë po faktohet çdo ditë dhe provat e mbledhura janë depozituar dhe po depozitohen çdo ditë pranë organeve të hetimit, në Prokurori dhe në SPAK.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVeliaj: Do shtrojmë çdo rrugicë në lagjet e Tiranës
Artikulli tjetërHajdarmataj prezanton kandidaturën në primare për Bashkinë e Tropojë