TIRANË, 4 nëntor /ATSH-I.Vata/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi në një dalje për mediet kumtoi mbi përgatitjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për procesin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të datës 14 Maj 2023.
Duke folur për buxhetin, Celibashi tha se “kostoja e zgjedhjeve të ardhshme sipas kërkesave që KQZ i ka kërkuar qeverisë shqiptare përmes Kuvendit të Shqipërisë, është 5.3 miliardë lekë, nga të cilat: Identifikimi Elektronik i Zgjedhësve (PEI) 603 milionë lekë; Projekti i Votimit dhe Numërimit Elektronik (PEVN) në 6 bashki 3 miliardë lekë; Kamerat e monitorimit në qendrat e votimit 150 milionë lekë; Kamerat e monitorimit dhe regjistrimit në vendet e Numërimit të Votave 124 milionë lekë; Projekti i edukimit dhe informimit të zgjedhësve 202 milionë lekë; Kostoja për pagesat e komisionerëve të niveleve të dyta dhe të treta 210 milionë lekë”.
Celibashi tha se do të rekrutohen rreth 352 punonjës me kohë të pjesshme, të cilët do të angazhohen për aspekte të ndryshme të përgatitjes dhe administrimit të procesit zgjedhor.
Gjithashtu, do të rekrutohen edhe operatorë të projektit të Pajisjeve Elektronike të Identifikimit të zgjedhësve (PEI) dhe operatorë të projektit të Votimit dhe Numërimit Elektronik (PEVN).
Për sa i përket projekteve dhe moduleve, Celibashi tha se KQZ ka përgatitur rreth 13 projekte për digjitalizimin e aspekteve të ndryshme të procesit zgjedhor.
Lidhur me afatet për procesin zgjedhor, Celibashi sqaroi: “13 Janar 2023 – fillimi i afatit për raportimin e institucioneve publike në lidhje me veprimtaritë me karakter publik që planifikojnë të zhvillojnë deri ditën e zgjedhjeve (DZ); 06 Mars 2023 - përfundon afati për paraqitjen e kërkesave për regjistrimin e partive politike; 15 Mars 2023 - përfundon afati për paraqitjen e kërkesave për regjistrimin e koalicioneve – (jo më vonë se 60 ditë përpara DZ); 27 Mars 2023 - përfundon afati për paraqitjen e kandidatëve për kryetar bashkie dhe listave shumemërore të kandidatëve për këshilltar – (jo më vonë se 50 ditë përpara DZ, shtyhet me dt 27 mars për shkak se data 25 është ditë e shtunë/dielë); 14 Prill 2023 - fillon fushata zgjedhore; (30 ditë para DZ); 8 Maj 2023 – përfundon afati për publikimin e sondazheve – (5 ditët e fundit para datës së zgjedhjeve nuk mund të publikohen rezultatet e sondazheve zgjedhore); 13 Maj 2023 - përfundon fushata zgjedhore dhe fillon heshtja zgjedhore”.
Celibashi foli dhe për afatet zgjedhore me interes për vëzhguesit/median: “02 Maj 2023 - afati i fundit për paraqitjen e kërkesave për vëzhguesit vendas; 11 Maj 2023 – afati i fundit për paraqitjen e kërkesave për vëzhguesit ndërkombëtar; (jo më vonë se 72 orë para DZ). Disa nga afatet zgjedhore me interes për zgjedhësit: 23 Nëntor 2022 – shpallet lista paraprake e zgjedhësve (30 ditë pas dekretit). 15 Mars 2023– përfundon afati për të kërkuar ndryshime në listën paraprake të zgjedhësve (60 ditë para DZ); 9 Prill 2023 – shpallet Lista Përfundimtare e Zgjedhësve (35 ditë para DZ)”.
“KQZ ka filluar punën në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe Ministrinë e Brendshme në kuadër të përgatitjes së listave të zgjedhësve. Jemi në komunikim me kryetarët në detyrë të njësive të qeverisjes vendore dhe u është kërkuar që të japin të gjithë informacionin që lidhet me vendndodhjen e qendrave të votimit dhe gjendjen e tyre me informacion të hollësishëm për të gjithë elementët që i bën qendrat e votimit lehtësisht të aksesueshme nga të gjithë kategoritë e votuesve. KQZ i ka dërguar një formular elektronik, i cili bën të mundur dhënien dhe verifikimin e informacionit të kërkuar”, tha Celibashi.
Për sa i përket administrimit të procesit, Celibashi tha se “procesi i pritjes së dokumenteve dhe regjistrimit të listave shumemërore të kandidatëve për kryetar bashkie dhe për këshillat bashkiakë do të administrohet nga Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor për 50 bashkitë të cilat kanë 1 KZAZ. Për 11 bashkitë të cilat kanë më shumë se 1 KZAZ, administrimi i procesit do të bëhet nga KQZ”.
/r.e/















