TIRANË, 3 nëntor/ATSH/ Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT) ushtroi gjatë muajit tetor një sërë inspektimesh, me qëllim verifikimin e zbatimit të kërkesave ligjore nga subjektet për ofrimin e produkteve, pajisjeve të sigurta për konsumatorin, si dhe për respektimin e të drejtave të pronësisë intelektuale.
Sipas ISHMT-së, janë kryer gati 200 inspektime dhe një numër i lartë monitorimesh në treg, ku fokus ishte siguria e ashensorëve në përdorim dhe vlerësimi i konformitetit të tyre në përputhje me kërkesat ligjore.
Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 643, 2.10.2019 “Për sigurinë e ashensorëve në përdorim” përcakton se çdo ashensor duhet të regjistrohet dhe t’i nënshtrohet kontrollit teknik nga një trupë e autorizuar.
ISHMT risjell në vëmendjen e administratorëve, por edhe banorëve të pallateve se, asnjë ashensor nuk duhet të jetë në përdorim, nëse nuk është certifikuar nga një trupë e akredituar dhe nuk është regjistruar pranë ISHMT-së.
Po ashtu, në fokus ishin edhe mbikëqyrja e tregut për parapaketimet, instrumentet matëse, sigurinë e produkteve elektrike dhe artikujt për fëmijë.
Gjithashtu, ISHMT informoi se janë inspektuar rreth 450 subjekte për zbatimin e ndalimit të qeseve plastike më të holla se 70 mikron.
ISHMT bën të ditur se prioritet është rritja e ndërgjegjësimit të operatorëve ekonomikë mbi kriteret ligjore që duhet të zbatojnë në fushën e sigurisë së produkteve joushqimore dhe pronësisë intelektuale dhe të konsumatorëve mbi të drejtat e tyre.
/r.e/












