Ballina Bota

BRUKSEL – BE ka bllokuar 17 miliardë euro asete ruse

BRUKSEL, 30 tetor /ATSH-DPA/ – Bashkimi Evropian ka ngrirë më shumë se 17 miliardë euro (16,9 miliardë dollarë) asete ruse gjatë paketave të sanksioneve kundër Rusisë, sipas komisionerit të drejtësisë të BE-së, Didier Reynders.

”Deri tani, pasuritë e 90 personave janë ngrirë, mbi 17 miliardë euro në shtatë shtete anëtare, përfshirë 2,2 miliardë euro në Gjermani”, tha ai për grupin mediatik të gazetave ”Funke”.

BE-ja ka miratuar tetë paketa sanksionesh që nga fillimi i luftës ruse kundër Ukrainës tetë muaj më parë.

Në veçanti, politikanët ukrainas kanë kërkuar vazhdimisht që asetet e ngrira të përdoren për të rindërtuar vendin pas luftës.

Për këtë, Reynders tha se “nëse BE-ja kap para nga bizneset kriminale, është e mundur t’i kanalizojë ato në një fond kompensimi për Ukrainën. Megjithatë, shuma nuk është aq e mjaftueshme për të financuar rindërtimin”.

”Si pjesë e sanksioneve perëndimore, 300 miliardë euro nga rezervat valutore të Bankës Qendrore Ruse janë ngrirë gjithashtu”, tha ai.

”Nga këndvështrimi im, është të paktën e mundur të mbahen këto 300 miliardë euro si garanci derisa Rusia të marrë pjesë vullnetarisht në rindërtimin e Ukrainës”, tha Reynders./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAXHENDA NDËRKOMBËTARE 30/10/2022
Artikulli tjetër“Agro Gramshi”, festivali i parë i bujqësisë për promovimin e produkteve lokale