TIRANË, 29 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama nga Peshkopia u premtoi qytetarëve se Rruga e Arbrit do të përfundojë dhe së shpejti Dibra do jetë kopshti i gjelbër i Tiranës.
Kryeministri bëri të ditur se do të nisin punimet edhe për lidhjen e Peshkopisë me Maqellarën.
“Ne sot jo vetëm rrugën e Arbrit do ta kishim përfunduar në rast se nuk do të kishte dalë gjeologjia problematike në tunelin e Murrizit, ku vazhdon puna, por ecet një metër në ditë. Në tunelin e Llogorasë 25 metra në ditë. Por në fund, tuneli do hapet. Ndërkohë që hapet tuneli ne do fillojmë lidhjen e Peshkopisë me Maqellarën. Ne do ta lidhim me Peshkopinë”, tha Rama.
“A e keni imagjinuar të vijnë 26 mijë, të luajnë mendsh e të nisen në ato rrugët që vije e duhet të numëroje brinjët a i kishe kur arrije këtu. Po ju them që mos u çuditni fare që do bëhet 260 mijë turistë në qarkun e Dibrës sepse rruga i sjell më shpejt. Dibranët e Tiranës pak nga pak do ta kuptojnë që ato 5 lekë kursime nuk ka nevojë t’i investojnë të blenë apartament në Tiranë. Këtu është e ardhmja, edhe e atyre që duan të jenë edhe tironca edhe duan të kenë një shtëpi me ajër të pastër në mes të gjelbërimeve”, u shpreh Rama.
Kryeministri u ndal edhe tek agroturizmi, duke vënë në dukje se bujtinat do të shtohen vijimësisht sepse natyra është magjike.
“Rruga e Lurës po ndërtohet. Do të shkojë Peshkopia në Lurë për 40 minuta. Llogariteni, kur të vish të kesh edhe Lurën, edhe Peshkopinë, por edhe Matin, Burrelin që po transformohet dhe gjithë këto bukuri bashkë me parkun e madh që po punojmë t’i japim një status të veçantë. Për llixhat kemi folur sot, i kam thënë Rrahimit. Shtrime rrugësh për 7 muaj t’i pranojmë për gjëra të mëdha, por duhet të futet bashkia për të ndërtuar më shumë pika grumbullimi, përpunimi se këtu ka bletërritës e mjaltë, por duhet të bëhet markë mjalti. Markë mjalti nuk bëhet duke i gjëmuar secili tek e tek bletëve të veta. Duhet të bashkohen forcat, bashkia duhet të futet, të krijojnë shoqëri të përbashkët, ne të mbështesim me financim dhe mjalti të dalë në treg siç del vaji i ullirit i atyre në Elbasan që kanë bërë federatën e ullirit. Ata që janë më të mençurit bashkohen, nuk ndahen”, tha Rama.
“Kini shumë besim që ajo që ju thashë, që në Dibër nëse sot numërojmë 26 mijë turistë, që nuk i imagjinoj dot, 260 mijë do të bëjmë në disa vite me gjithë këto punë që ne po bëjmë, por mbi të gjitha duke u bazuar tek mendja e dibranëve punëtorë sepse janë ata që po i bëjnë këto agroturizma, janë ata që po bëjnë këto prodhime bujqësore që po eksportohen gjithmonë e më shumë, që po bëjnë gjithë ato zhvillime me blegtorinë, por patjetër, ata që bëjnë këtu një rini që është fantastike”, tha Rama.
/j.p/























