TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama e ripërsëriti ftesën e tij për të rinjtë në Bulqizë, që të mos e shikojnë emigrimin e rrezikshëm me gomone drejt Britanisë së Madhe si të vetmen rrugë për fitim.
Gjatë një takimi me të rinjtë në Mat, Rama tha se teknologjia dhe inovacioni ofrojnë mundësi të mëdha, por jo vetëm, edhe bujqësia dhe turizmi.
“Në Bulqizë nuk ka asnjë dynym tokë pjellore të papunuar. Po të shikojmë të gjithë komponentët e prodhimit bujqësor dhe blegtoral, të dhënat janë impresionuese. Njerëzit punojnë, dhe në këtë vend mundësisë janë, por duhet pak vizion, duhet një ide e mirë dhe këmbëngulje”, tha Rama.
Kryeministri, po ashtu theksoi se është e nevojshme që fermerët të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, duke krijuar pika grumbullimi dhe linja prodhimi, për të rritur fitimin e tyre.
Rama solli në vëmendje shembullin e një të riu në Bulqizë, që kishte ngritur një pikë grumbullimi për bimët mjekësore.
“Më tregoi një grumbull të vogël bimësh mjekësore, të mbledhur nga një familje e vogël brenda një dite dhe kishin marrë 35 mijë lekë. Vetëm nëse do të punësohej inxhinier në kompani të mëdha mund të fitojë 35 mijë lekë në ditë në Britani. Ai shpenzon deri në 20 mijë euro dhe rrezikon jetën e tij me gomone për të shkuar atje”, tha Rama.
Kryeministri siguroi se qeveria do të mbështesë linjat e artizanatit, sepse theksoi ai, është një zonë e industrisë së turizmit që sjell të ardhura.
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, me sistemin e ri të bursave do të financohen me pagë minimale mujore 200-400 studentë ekselentë.
“Ne kemi pasur një sistem që financonim studentët ekselentë që studionin jashtë, por tani këtë fond e kemi kthyer në dispozicion të atyre me 10 që qëndrojnë dhe studiojnë këtu’, tha Kryeministri gjatë një takimi me të rinjtë në Burrel.
Rama u shpreh se llogaritet të përfitojnë rreth 400 të rinj, një bursë të barabartë me pagën minimale që sot është 34 mijë lekë .
/r.e/






















