Ballina Flash

Deputeti ukrainas: Kosova është Evropë

PRISHTINË, 27 tetor/ATSH/- Me duartrokitje është pritur nga parlamenti i Kosovës, deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko.

Gjatë seancës së sotme plenare, Goncharenko ka mbajtur fjalim para deputetëve, ku ka garantuar se do të punojë për njohjen e Kosovës.

“Kosova është Evropa”, u shpreh ai duke shtuar se edhe në Këshillin e Evropës do të mbështesë Kosovën që të bëhet anëtare me të drejta të plota.

Ai deklaroi se më 5 gusht i ka thënë parlamentit ukrainas që ta njohë pavarësinë e Kosovës si shtet të pavarur.

“Unë mendoj që kjo duhet të bëhet sa më parë sepse ju keni luftuar për lirinë tuaj, ju jeni një shtet i pavarur. Unë do të bëj çfarëdo që është në fuqinë time që t’ ju ndihmoj me këtë.  Në parlamentin ukrainas kemi organizuar një kauzë për miqtë e Kosovës dhe unë kam nderin që të jem kryetari i kësaj kauze. Do të bëjmë çfarë do që është e mundur që t’ ju ndihmojmë që të ecim kësaj rruge së bashku me ju. Edhe si anëtar i Parlamentit të Këshillit të Evropës, si zëvendës president i Komisionit për Refugjatët dhe Migrim në Këshillin e Evropës dua t’ ju siguroj se unë aty do të bëj çfarëdo që është e mundur që të mbështes Kosovën që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës me të drejta të plota sa më parë që është e mundur. Kosova është Evropa, unë besoj në këtë”, deklaroi deputeti ukrainas në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka shtuar se Kosova e pavarur e shkatërron ëndrrën e Jugosllavisë së re. Sipas tij, njerëzit nga Ukraina janë të fortë dhe do të dalin fitimtarë nga invazioni rus.

“Ne ndjehemi shumë të afërt me ju sepse edhe qytetarët e Kosovës kanë kaluar nëpërmjet një gjenocidi. Njerëzit e Ukrainës janë duke kaluar këtë tani. Kosovarët kanë luftuar për pavarësinë e tyre dhe ne tani jemi duke luftuar për pavarësinë tonë. Jo për herë të parë në këto 100 vjetet, por këtë herë ne do të fitojmë. Dhe dua t’ ju siguroj se do të jemi ne fituesit dhe do të fitojë bota e lirë sepse ne do të kemi sukses në këtë luftë”,  deklaroi Oleksiy Goncharenko.

Ai ka kërkuar edhe nga Parlamenti i Kosovës që të cilësojë si regjim terrorist, luftën që po bën Rusia kundër Ukrainës.

Deputeti ukrainas gjatë këtij muaji para Këshillit të Evropës ka kërkuar njohjen e Kosovës nga të gjitha vendet që nuk e kanë njohur akoma.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakARRSH: Devijim i trafikut nga punimet për unazën e madhe të Tiranës
Artikulli tjetërERE rrëzon kërkesën e Tabakut për fashën e energjisë