Ballina Flash

Republika e Shqipërisë hap Konsullatë Nderi në Debrecen

TIRANË, 24 tetor /ATSH/ Ambasada e Shqipërisë në Hungari njoftoi hapjen në Debrecen të Hungarisë të Konsullatës së Nderit të Republikës së Shqipërisë.

Së bashku me László Papp, kryetarin e bashkisë së Debrecenit, Zsolt Bunford, zëvendëssekretar i Shtetit në Ministrinë e Jashtme hungareze, Attila Fodor, zëvendësshef i Departamentit të Ballkanit Perëndimor, Konsuj Nderi të huaj në Debrecen, studentë shqiptarë, miq e dashamirës, u inaugurua zyra e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Debrecen.

Ambasada e Shqipërisë në Hungari bëri të ditur se “këtë vit kremtohet 100-vjetori i marrëdhënieve diplomatike, por edhe bashkëpunimi dhe miqësia e dy vendeve dhe popujve, që daton që në kohën kur Huniadit dhe Kastriotasit u bashkuan në një aleancë të gjatë”.

“Veprimtaria e Konsulles së Nderit dr. Andrea Molnar, e cila prej vitesh jep kontributin e saj  kryesisht në krijimin e strukturave të sportit për fëmijë, do të intensifikojë marrëdhëniet në fushën e turizmit dhe biznesit, si dhe do të jetë në mbështetje të studentëve që studiojnë në Universitetin e Debrecenit, duke shërbyer po ashtu si një urë lidhëse me ambasadën”, thuhet në njoftim.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKëlliçi fiton gjyqin ndaj Ardian Çelës
Artikulli tjetërBerisha: PD mbështet protestën e pedagogëve