TIRANË, 20 tetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama moir pjesë sot në ceremoninë e zhvilluar në Kryeministri për dhënien e “Medaljes së Artë” për nxënësit që kanë përfunduar gjimnazin me 10 absolute.
Rama tha se, “pjesa më e madhe e familjeve tuaja nuk janë familje të pasura, madje nga sa ne kemi parë gjendjen sociale, pjesa më e madhe e familjeve tuaja janë familje prindërish që përpiqen shumë”.
Rama solli shembullin e një babai që u përlot vite më parë kur i thanë se vajza e tij kishte fituar bursë për në Stamboll.
“Më kujtohet përpara disa vitesh kur ne ndamë disa bursa për disa maturantë ekselentë që shkuan të studiojnë në Universitetin Teknik të Stambollit, ndoqëm një rrugë shumë të thjeshtë. E filluam nga i pari, që ishte në fakt e para vajzë dhe me radhë derisa të plotësohej numri 10 që ishin bursat. Dhe telefonuam, ishte Lindita atëherë, telefonoi babain e vajzës që ishte e para, për t’i thënë që vajza juaj nëse dëshiron mund të marrë këtë bursë dhe mund të shkojë të studiojë në Universitetin Teknik të Stambollit. Unë jam ministrja e Arsimit. Zotëria nuk e besonte mendonte se dikush po tallej në telefon. Dhe ndër të tjera i thotë ministres që të lutem i thotë se unë nuk jam dikush që mund të përdorem për t’u tallur, jam njeri që kam halle, kam disa fëmijë për të rritur dhe punoj nga mëngjesi deri në darkë në një kioskë 5 m2. Pastaj kur kuptoi që kjo s’ishte tallje, po ishte e vërtetë, filloi të qante, sepse i dukej e pabesueshme”, tha Rama.
“Arsyeja pse e solla këtë shembull është se, ajo vajza e cila edhe atje shkëlqeu, i kishte të gjitha arsyet për të thënë që s’po shkoj sot në shkollë, s’po mësoj sot. S’kam pse përpiqem, se jeta ime nuk m’i jep mundësitë që disa të tjerë i kanë. Pra me atë situatë në familje, jo të lehtë ku patjetër që gjithçka është kursyer për mësimet e saj dhe të motrave apo vëllezërve të saj, i kishte të gjitha justifikimet e pranueshme. Edhe ju, shumë nga ju këtu me siguri keni pasur çdo ditë mundësi të gjeni justifikime. Një prind pa punë, të ardhura të pamjaftueshme për këtë, apo për atë, çdo ditë. Po ju nuk keni zgjedhur të justifikoheni, madje edhe të justifikoheni me të drejtë. Ju keni zgjedhur t’ia dilni”, u shpreh Rama.
“Për këtë arsye”, shtoi kryeministri, “meritoni të gjithë respektin dhe për këtë arsye unë edhe sot e përsëris të njëjtën gjë”.
“Besojeni ose jo po ju që jeni këtu dhe të gjithë ata si ju janë një nga arsyet më të mëdha, më të rëndësishme, më të paharrueshme për mua që të vazhdoj të merrem me këtë punë dhe të bëj gjithë përpjekjet që unë mundem që gjërat të shkojnë sa më mirë”, theksoi Rama.
“Sepse ju e keni provuar në atë korsinë tuaj dhe në atë betejën tuaj të përditshme sesa shpesh gjendesh përpara dilemash nëse duhet të vazhdosh të luftosh. Sesa shpesh rrethanash të vënë përpara situatash, përpara ngjarjesh, përpara momentesh kur thua s’ia vlen. Dhe se çfarë force duhet që ta kapërcesh atë rrethanë, ta lësh mbrapa atë ngjarje, ta kalosh atë moment dhe të rimotivosh veten. Dhe për të rimotivuar veten, për ta gjetur atë forcë të duhen shembuj. Të duhen shumë arsye, të cilat të jenë më të forta sesa ato arsye jo të vogla që të shtyjnë deri në pikën që të thuash për çfarë duhet bërë gjithë kjo luftë, për çfarë duhet bërë gjithë kjo përpjekje kur shikon që ndodh kjo, apo ndodh ajo, apo gjendesh përpara kësaj gjëje apo asaj gjëje”, u shpreh Rama.
/j.p/r.e/























