Ballina Aktualitet

Bregu: Ulje e tarifave të roaming-ut BE-Ballkani Perëndimor në 2023

TIRANË, 19 tetor/ATSH/ Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Majlinda Bregu, Olivér Várhelyi, Komisioneri i BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin dhe Thierry Breton, Komisioneri i Tregut të Brendshëm të BE-së zhvilluan sot një takim me operatorët celularë në Bashkimin Evropian (BE) dhe Ballkanin Perëndimor (BP), për të diskutuar mbi uljen e tarifave të roaming midis BE-së dhe rajonin tonë.

Lajmi bëhet i ditur nga Bregu nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale e cila thekson po vijohet me episodin e dytë të procesit të roaming-ut pas suksesit në zbatimin e “Fol si n’shpi” të uljes së tarifave celulare.

Sipas saj, qëllimi është vazhdimi i procesit dhe ndërmarrja e hapave konkret për të nisur uljen e tarifave të roaming-ut ndërmjet BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në vitin 2023.

Ndërsa brenda vitit 2027, shton ajo, synohet që të mos ketë asnjë tarifë shtesë në roaming.

“Aspak e lehtë, por shpresoj që qytetarët dhe bizneset të kenë mundësi të flasin me tarifa të reduktuara në Europë, duke filluar nga vera e ardhshme. Ndërsa brenda vitit 2027 të mos kemi asnjë tarifë shtesë në roaming“, deklaron Bregu.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Shqipëria me inflacionin më të ulët në rajon
Artikulli tjetërRama: Mos dëgjoni opozitën e rublave, duhet të kursejmë energji