Ballina Flash

Inaugurohet fusha e re në aneksin e “Kukës Arena”

TIRANË, 14 tetor /ATSH/ Projektet e Federatës Shqiptare të Futbollit në infrastrukturë dhe përmes shpërndarjes falas të bazës materiale për të gjithë fëmijët në të gjithë vendin po i japin një zhvillim gradual futbollit shqiptar.

Këtë herë ishte radha e Kukësit që pas stadiumit moderne “Kukës Arena” të inauguruar pak muaj më parë, tani qyteti do të gëzojë edhe një fushë të re ndërtuar në aneksin e stadiumit përmes një investimi të rëndësishëm të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Bashkisë Kukës.

Në ceremoninë e inaugurimit të kësaj fushe ishin të pranishëm presidenti i FSHF-së, Armand Duka, kryetari i bashkisë Kukës, Safet Gjici, kryetari i Shoqatës Rajonale të Futbollit të Lezhës, Kristjan Xhidodaj, futbollistë të vegjël dhe prindër.

Përveç inaugurimit të fushës në këtë ceremoni u shpërnda edhe baza materiale për ekipet e futbollit të kësaj zone në kuadër të projektit “Uniforma Ime” me FSHF-në, që vazhdon të pajisë me uniforma falas të gjithë fëmijët që luajnë futbollit me ekipe në të gjithë vendin nga mosha U-7 e deri në moshën U-19.

Në fjalën e mbajtur gjatë këtij aktiviteti, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, theksoi se, investime të tilla në bashkëpunim edhe me njësitë vendore janë jetike për të mbështetur zhvillimin e futbollit, teksa një nga prioritetet kryesore të Federatës është futbolli i fëmijëve dhe i vajzave, por pa infrastrukturën e duhur është e vështirë që ky mision të përmbushet plotësisht.

Ndërsa kryetari i bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, njëherësh edhe President Nderi i klubit të Kukësit, vlerësoi kontributin e madh të Federatës Shqiptare të Futbollit, qoftë me investimet në infrastrukturë ndër të cilët edhe stadiumi i ri “Kukës Arena”, qoftë edhe me projektin madhor Uniforma Ime që po jep një impakt të madh në të gjithë vendin.

Kryetari i Shoqatës Rajonale të Futbollit Lezhë, Kristjan Xhidodaj, shprehu kënaqësinë për inaugurimin e kësaj fushe, që do t’i japë mundësinë ekipeve të moshave të Kukësit t’i luajnë në shtëpi ndeshjet e tyre.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKIEV – Grossi: Progres në bisedimet për centralin bërthamor të Zaporizhias
Artikulli tjetërPedagogët, sërish në protestë për rritjen e pagave