TIRANË, 12 tetor/ATSH/ Godinat e reja të konvikteve të Fakultetit të Mjekësisë janë gati për të mirëpritur studentët këtë vit akademik.
Të dëmtuara nga tërmeti i nëntorit 2019 godinat u rindërtuan dhe janë gati të presin 400 studentë në mjedise tërësisht të reja, moderne dhe me kushte bashkëkohore.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga godinat e reja, të cilat ndodhen pranë tregut industrial të Medresesë, në rrugën “Ferit Xhajko”.
Rama tha se “rezidencat e reja për studentët e Fakultetit të Mjekësisë të rindërtuara pas tërmetit, me kushte optimale si kudo në Europë janë gati për të mirëpritur studentët këtë vit akademik”.
Rezidencat e reja studentore të Fakultetit të Mjekësisë kanë kapacitet prej afro 200 studentë secila. Në çdo godinë janë realizuar 79 dhoma qëndrimi të studentëve, ambientet e leximit dhe studimit.
/k.s/j.p/r.e/























