Ballina Aktualitet

Komisioni i Sigurisë miraton ndryshime në ligjin për vetting-un në polici

TIRANË, 11 tetor/ATSH/ Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratuan sot disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”.

Të ftuar për të bërë shpjegimin e projektligjit ishin Andi Mahila, zëvendësministër në ministrinë e Brendshme dhe Florian Sulejmani, drejtor i vetting-ut në AMP.

Mahila shpjegoi qëllimin e këtij projektligji, që sipas tij, “ka të bëjë me dhënien e një kontributi real për afirmimin e punonjësve profesionistë dhe me integritet të lartë të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, nëpërmjet zbatimit të parimit të integritetit, rritjes profesionale dhe garantimit të një karriere të drejtë dhe të bazuar në meritokraci, duke krijuar në vazhdimësi institucione të forta dhe të besueshme”.

Bashkërelatorët e projektligjit Nasip Naço dhe Toni Gogu vlerësuan ngritjen e kësaj  strukturë të përhershme pranë AMP-së për vlerësimin kalimtar dhe periodik në vazhdimësi e cila do të kryejë një vlerësim të integruar të të gjithë komponentëve, pasuror, profesional, integritetit.

Më tej komisioni vijoi me shqyrtimin e projektligjit “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin e dytë shtesë të konventës për krimin kibernetik mbi bashkëpunimin e zgjeruar dhe zbulimin e provave elektronike”.

E ftuar për të bërë shpjegimin e projektatit ishte Adea Pirdeni, zëvendësministre në Ministrinë e Drejtësisë dhe Besmir Beja, drejtor i përgjithshëm i Kodifikimit.

Pirdeni theksoi, midis të tjerave, se nisur nga zhvillimi shumëdimensional i kriminalitetit dhe formave të tij, si dhe i zhvillimeve teknologjike, është e rëndësishme që legjislacioni i brendshëm të përqaset me këto zhvillime.

Në cilësinë e relatorit, deputeti Vullnet Sinaj tha se aderimi në këtë protokoll sjell një sërë përfitimesh në lidhje me rritjen dhe krijimin e hapësirave bashkëpunuese në fushën penale, në hetimin e veprave penale, në fushën kibernetike dhe në shkëmbimin e provave në formë elektronike.

Po ashtu, Komisioni caktoi sot deputeten Antoneta Dhima, koordinatore për nënkomisionin  “Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ)”.

/m.m/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKsamili, Borshi dhe Orikumi, pjesë e projektit të IBRD-it
Artikulli tjetërA e rrit sistemin imunitar të fëmijëve të luajturit në baltë?