TIRANË, 4 tetor/ATSH/ Një tjetër qendër shumëfunksionale do t’i shtohet qytetit të Shkodrës.
Qendra “Xixëllonjat” në lagjen Kiras do të jetë një realitet i ri që do t’i shërbejë të gjitha moshave, nga më të vegjlit, tek të moshuarit, duke krijuar lehtësi në marrjen e shërbimeve, por edhe si destinacion edukimi e argëtimi.
Në këtë aktivitet u prezantua projekti “Nxitja e përfshirjes sociale dhe zhvillimit të komunitetit”, ku Bashkia Shkodër është përzgjedhur fituese në kuadër të thirrjes EU4 Municipalities.
Blloku i fundit i financimit, bën të mundur vënien në funksion me të gjitha elementet e saj këtë qendër, me fokus kopshtin dhe çerdhen e parë në zonë me drekë.
Kryetari i bashkisë Shkodër, Bardh Spahia, falenderoi miqtë që mbështetën idetë dhe bashkëfinancuan projektin EU4 Municipalities (”BE për bashkitë”).
Objektet që deri dje ishin jashtë shërbimit, apo të dëmtuara nga koha, janë vënë në funksion të shërbimit ndaj komunitetit, por me një qasje krejt tjetër, ku brenda një hapësire janë të inkuadruara disa shërbime. Kështu lehtësohet aksesi për qytetarët, por edhe rriten mundësitë, veçanërisht për fëmijët dhe rininë, që këto zona të kenë hapësira gjithëpërfshirëse.
/r.e/









































