Ballina Ekonomi

Praktikat e punës, 7 të rinj i bashkohen Administratës Doganore

TIRANË, 3 tetor/ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli zhvilloi një takim me 7 praktikantë të përzgjedhur nga thirrja 7-të e programit kombëtar të praktikave të punës, organizuar nga ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët.

Në fjalën e tij, Gazheli inkurajoi të rinjtë për të marrë dijet e duhura gjatë periudhës 3-mujore të provës duke u fokusuar në Kodin Doganor dhe legjislacionin në fushën e doganave, praktikën e punës në departamentin administrativ, departamentin teknik të akcizës (laboratori doganor) dhe degë doganore.

Duke ndarë eksperiencën e tij në fillimet e karrierës në administratën doganore, Gazheli theksoi, se “fokusi kryesor duhet të jetë shërbimi me korrektësi dhe profesionalizëm ndaj qytetarëve dhe biznesit. Ndërkohë që hapja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian është sfida e radhës e Administratës Doganore ndaj dhe kërkon përgatitjet e duhura teknike për negociatat e anëtarësimit”.

Nga lista e 25 kandidatëve që kanë aplikuar për DPD, 7 praktikantët janë përzgjedhur në bazë të nivelit të arsimit, mesatares dhe letrave të motivimit.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKIEV – Zelensky nis fushatën mediatike “Për çfarë po luftojmë”
Artikulli tjetërTre llojet e kredive që u prekën më shumë nga ristrukturimi