Ballina Aktualitet

Kim: Mbështetje për ndërtimin e mbrojtjes kibernetike

TIRANË, 29 shtator /ATSH/ Ambasadorja e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim foli mbrëmjen e sotme në një intervistë për emisionin “Opinion” për sulmin kibernetik të Iranit ndaj vendit tonë.

Kim u shpreh se, SHBA pasi ka vërtetuar se sulmi është kryer nga Irani, ka ndërmarrë një seri sanksionesh për zyrtarët iranianë.

“Vetëm pak ditë më parë, FBI dhe CISA, Agjensia për Sigurinë Kibernetike, publikuan një raport. Është mjaft i hollësishëm, mund të ta dërgoj nëse dëshiron. Është shumë i detajuar dhe shumë teknik, dhe tregon se sulmi nisi nga Irani. Ju e patë në deklaratat tona, të cilat dolën nga Shtëpia e Bardhë, shprehjen e sigurisë se sulmi erdhi nga Irani, se ne do të qëndrojmë krah Shqipërisë dhe do të mbështesim përpjekjet e Shqipërisë për të ndërtuar mbrojtjen e saj kibernetike, dhe se do të ndërmarrim hapa konkretë për t’iu përgjigjur sulmit të Iranit. Menjëherë pas kësaj, Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara vendosi një sërë sanksionesh kundër Ministrisë Iraniane për Inteligjencën dhe Sigurinë, si edhe ministrave…Është e lidhur me këtë rast, nuk është vetëm për këtë rast,  por po. Dhe do të ndërmarrim më shumë… do të vazhdojmë të ndërmarrim më shumë hapa për të trajtuar kërcënimet. Kur dikush kërcënon një aleat të NATO-s, kur dikush kërcënon Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen, ne do të përgjigjemi”, tha Kim.

“Iranianët janë qartazi të pakënaqur nga vendimi i Shqipërisë për të strehuar ata që kundërshtojnë regjimin iranian. Dhe është shumë e rëndësishme që Shqipëria të bëjë punën e saj ashtu si e gjykon më mirë, pa pasur frikë nga kërcënimet e vendeve si Irani. Prandaj ata janë të padëshirueshëm kudo në botë, sepse sillen kështu. Prandaj ne do të vazhdojmë ta mbështesim Shqipërinë, përfshirë edhe duke punuar me ekspertët tuaj për të ndërtuar mbrojtjen tuaj kibernetike dhe për të korrigjuar kërcënimet që mund të kenë ekzistuar”, tha Kim. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakANKARA – Erdogan-Putinit: Rusia t’u japë një tjetër mundësi negociatave
Artikulli tjetërKim: Duhet të ndërmerrni hapa për t’u ruajtur nga përpjekjet e Rusisë për të minuar demokracinë