Ballina Aktualitet

AIDSSH, propozime për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për dosjet

TIRANË, 29 shtator/ATSH/ Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991 bëri sot publike propozimet për disa shtesa dhe ndryshime ligjore në ligjin 45/2015 i ndryshuar, “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, si dhe në ligje të tjera në funksion të zbatimit të ligjit.

“Në dritën e diskutimeve të datës 21 shtator 2022, ndërmjet Autoritetit dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në Kuvendin e Shqipërisë, lidhur me propozimet e paraqitura, u dakordësua kryesisht mbi: heqjen e “mburojës” për figurat e larta publike  përmes shfuqizimit të plotë të pikës 4 në nenin 29, të ligjit  nr. 45/2015, i cili thotë se “Autoriteti nuk administron kërkesat për informacion për zyrtarët që propozohen të emërohen ose ngrihen në detyrë në institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike, kur Autoriteti administron apo i është vënë në dispozicion dokumenti autentik origjinal i certifikatës së pastërtisë së figurës, shoqëruar me vendimin përkatës nga institucionet përgjegjëse, si Komisionet Mezini dhe Bezhani””, thuhet në njoftimin e Autoritetit.

Autoriteti thekson se, “zbatimi i dispozitës në disa praktika të punës ka vënë në vështirësi Autoritetin i cili në disa raste ka dalë me dy vendimmarrje të ndryshme, për të njëjtin subjekt ku në një procedurë Autoriteti është vënë në lëvizje me kërkesë të paraqitur nga institucione kushtetuese apo autoritete publike dhe Vendimmarrja ka rezultuar që subjekti zotëron certifikatën e pastërtisë së figurës së tij dhe në procedurë tjetër ku Autoriteti është vënë në lëvizje me kërkesë të paraqitur nga persona të prekur nga aktiviteti i strukturave të ish-Sigurimit të Shtetit dhe vendimi tjetër që po i njëjti subjekt rezulton si anëtar i ish- Sigurimit, hetues, gjyqtar apo prokuror, si dhe bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit”.

“Me ndryshimin e propozuar Autoriteti do të jetë i pavarur, i besueshëm për shoqërinë shqiptare dhe faktorin ndërkombëtar, si dhe do të kryejë punën e tij në mënyrën më transparente të mundshme, si dhe do të jetë i lirë nga çdo insinuatë që kërkimi dhe rezultati arkivor nuk është bërë në mënyrën e duhur. Në këtë kuadër, të gjitha vendimet për këtë kategori funksionarësh të lartë do të publikohen të plota në faqen zyrtare të Autoritetit”, thuhet në njoftim.

Autoriteti gjithashtu kërkon “deklasifikimin e të gjithë dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, të parashikuara në ligjin 45/2015, “Për të drejtën e informimit mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit”, për periudhën 29 nëntor 1944, deri në ditën e krijimit të Shërbimit Informativ Kombëtar, 2 korrik 1991, të cilat disponohen nga të gjitha arkivat e rrjetit arkivor të Republikës së Shqipërisë, duke u kufizuar në rastet kur gjatë punës ndeshet me dokumente që përmbajnë informacione që lidhen me cenimin e sigurisë kombëtare, Autoriteti i klasifikon ato sipas legjislacionit të fuqi për Informacionin e Klasifikuar”.

Sipas AIDSSH ky ndryshim është kërkuar “në kuadër të vështirësive dhe vonesave të ndeshura gjatë procesit të deklasifikimit të dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit, me qëllim përmirësimin e punës dhe eficiencës e efektivitetit në dhënien e shërbimeve subjekteve kërkuese”.

Gjithashtu, në njoftim thuhet se, “më herët dhe në vijim Autoriteti ka paraqitur edhe disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 45/2015 i ndryshuar, si dhe ligje të tjera”.

Një tjetër ndryshim që kërkon AIDSSH është “rishikimi i fushës së veprimit të ligjit që rregullon veprimtarinë e institucionit, për të shmangur problematikat e krijuara midis Autoritetit dhe institucioneve të tjera, gjatë procesit të dorëzimit të dokumenteve të ish-sigurimit të shtetit apo të lidhura me to, sipas akteve ligjore dhe nënligjorë të nxjerra në këtë drejtim, që lidhen kryesisht por pa u kufizuar me veprat penale politike të parashikuara në ligjin nr. 7514, datë 30.09.1991, pa ndikuar në qëllimet dhe parimet e institucionit”.

“Një pjesë e konsiderueshme e dokumenteve të krijuar nga strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit apo të lidhura me to, ndodhet nëpër arkivat e institucioneve si trashëgimi institucionale, në dijeninë tonë e papërdorshme dhe ndoshta jo e njohur mirë nga administratorët, gjë që ka ngritur shqetësimet dhe paqartësitë, mbi detyrimin e autoriteteve të tjera shtetërore të dorëzojnë këto dokumente pranë Autoritetit të krijuar me ligj dhe të specializuar për realizimin dhe kryerjen e një procesi të tillë.

Ky proces has vështirësi për shkak të vetë mënyrës së organizimit të ish-Sigurimit të Shtetit, shtrirjes së tij në çdo sektor të jetës, mënyrës së organizimit dhe funksionimit, të administrimit të dokumentacionit në institucione të ndryshme, lidhjes organike të ngjarjeve, personave dhe proceseve të cilat ose janë iniciuar ose mbikëqyrur, apo të ndërlidhura në shumë mënyra e fije me veprimtarinë e ish-Sigurimit të Shtetit”, thekson AIDSSH.

Gjithashtu kërkohet, “heqja e “barrierave” për kërkuesit shkencorë dhe medien, të cilët me ndryshimet e reja ligjore do të kenë mundësinë të shqyrtojnë dokumente në të cilat ̈ ̈ℎ ̈ ℎ, jo vetëm të dhënat e anëtarëve të ish-Sigurimit të Shtetit, si hetues, prokurorë apo gjyqtarë, por edhe të dhënat e bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit, përmes kërkesave që kanë në fokus veprimtarinë hulumtuese dhe kërkimin shkencor, me qëllim rishqyrtimin historik të veprimtarisë së ish-Sigurimit të Shtetit”.

AIDSSH gjithashtu propozon “vendosjen e sanksioneve nga Autoriteti, në bashkëpunim me institucionet ligjzbatuese, për të gjitha rastet e keqpërdorimit, apo të shpërndarjes së paautorizuar të informacioneve, apo të dhënave personale që gjenden në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, duke shkelur të drejtat e njeriut”.

“Për sa i takon procesit të shumëdiskutuar të dekomunistizimit, Autoriteti ka propozuar  ndryshime në dispozita të veçanta të Kodit Zgjedhor, të cilat lidhen me verifikimin e figurës së kandidatëve për deputetë dhe kryetarë bashkie apo qarku, duke dhënë edhe alternativat përkatëse. E rëndësishme të theksohet se në këtë proces ndryshimet ligjore duhet të shtrihen edhe në legjislacionin për integritetin e figurës së zyrtarëve të lartë në funksione publike, nëpërmjet procesit të vetëdeklarimit”, thuhet në njoftim.

Autoriteti garanton publikun “për kryerje me integritet, përgjegjësi profesionale dhe jashtë ndikimit politik të veprimtarisë së tij për ushtrimin e së drejtës nga çdo i interesuar për informimin mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, nëpërmjet një procesi demokratik dhe transparent, mbrojtjes së personalitetit të individit, si dhe unitetit e pajtimit kombëtar”.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak110 vjet më parë lindi Michelangelo Antonioni, gjeniu i filmit italian
Artikulli tjetërCOVID-19, MSHMS: 44 të infektuar në 24 orët e fundit