TIRANË, 25 shtator/ATSH/ Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike, Mimoza Hajdarmataj reagoi sot për prishjen e shkollave në Kamzë, që sipas saj “po detyron qindra nxënës të transferohen në shkolla të tjera 5 kilometra larg vendbanimeve”.
“Me fillimin e vitit të ri shkollor në bashkinë Kamzë, jo vetëm që procesi mësimor nuk ka filluar normalisht, por për shkak të papërgjegjshmërisë së kryebashkiakut Suli, ky proces po cenohet si në drejtim të cilësisë së arsimit ashtu edhe në infrastrukturë. Prishjet e shkollave kanë sjellë jo vetëm transferimin e qindra e mijëra nxënësve drejt shkollave të tjera, por edhe një problem të madh me stafin mësimdhënës të cilët janë detyruar të zhvillojnë procesin mësimor në shkolla të ndryshme”, tha ajo nga mjediset e shkollës “Hillary Clinton”.
“Kjo shkollë pasi u prish, në këtë vit shkollor nxënësit janë detyruar të transferohen drejt Bregut të Lumit, një zonë në periferi, aty ku është edhe “FrutiKultura”. Rasti i shkollës “Ibrahim Basha”, edhe kjo është shkollë e prishur në Kamzë. Mësimdhënia është transferuar në kufi me Zallherrin, te shkolla “Elez Isuf Ndreu” dhe “Halit Çoka”. Kemi shkollën “Demokracia” gjithashtu në Valias, e cila u prish përsëri pak para se të fillojë procesi mësimor dhe mësimdhënia është transferuar tek shkolla “Niko Hoxha”. Me këto transferime që kapin deri në 5 kilometra, janë të detyruar nxënësit, mësuesit nga prishja e këtyre shkollave të shkojnë te shkollat ku janë akomoduar”, tha ajo.
Gjithë ky proces i prishjeve, sipas Hajdarmataj, ka ndodhur në mënyrë të paparashikuar, të pajustifikuar dhe pa asnjë konsultim paraprak me komunitetin.
“Duke i detyruar prindërit që ose t’i shoqërojnë vetë fëmijët drejt shkollave ose të paguajnë vlera për transportin që kapin edhe vlerat e ndihmës sociale që familjet e tyre përfitojnë. Filozofia e rilindjes për shërbimet e komunitetit është një farsë. Nxënësit dhe prindërit e bashkisë Kamzë, prej babëzisë së kryebashkiakut Suli, janë të detyruar tashmë të bëjnë kilometra të tëra për të shkuar në një shkollë, aty ku ata i kanë transferuar”, tha ajo. /m.m/












