Ballina Aktualitet

Berisha: Protesta për të rikthyer shpresën dhe votën e lirë

TIRANË, 24 shtator /ATSH-I.Vata/ Kryetari i PD-së, Sali Berisha deklaroi sot se do të ketë protesta në rrugë në gjithë Shqipërinë.

Në një bisedë me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha tha se protesta do fillojnë shumë shpejt.

“E vërteta është se polarizimi në këtë vend po rritet me shpejtësi dhe shtresa e mesme po shkon drejt asgjësimit, të varfrit po bëhen gjithnjë e më të varfër. Edi Rama, votën nuk e pranon dhe gjithë ky zhvillim dramatik, kjo përmbysje në përbërjen e shtresave të shoqërisë sonë, ka si shkak më themelor, mospranimin e votës nga Edi Rama. Protesta janë rruga për të cilat është përcaktuar Fronti për Shpëtimin e Shqipërisë. Ju garantoj se do të fillojnë shumë shpejt. Mund të jenë shtyrë, por edhe shtyrja e tyre bëhet për shumë aspekte, e padurueshme. Protestat e gjithanshme do jenë rrugë për të rikthyer në Shqipëri, shpresën, votën e lirë dhe për të dalë nga ky regjim absolutar, sot i vetmi në Europë pas atij të Putinit dhe Lukashenkos”, u shpreh Berisha.

Në vijim, Berisha tha se do bëjë gjithçka që diaspora shqiptare të votojë në zgjedhjet e ardhshme.

“Ne do bëjmë gjithçka që diaspora shqiptare të votojë në zgjedhjet e ardhshme. Por do bëjmë gjithçka për një bashkëpunim sa më të ngushtë me diasporën shqiptare. Do krijojmë të gjitha mundësitë që diaspora të investojë në Shqipëri, të angazhohet në institucionet administrative, zyrtare politike të vendit. E konsiderojmë diasporën një faktor madhor për një Shqipëri të zhvilluar me një të ardhme të sigurtë”, tha ai.

Po ashtu, Berisha deklaroi se të hënën miratohet udhëzimi për primaret në Këshillin Kombëtarë të Partisë Demokratike.

“Ditën e hënë, Këshilli Kombëtar i PD miraton udhëzimin për zgjedhjet sipas primareve. Pra, primaret për kryetarët e bashkive do kenë kuadrin ligjor të gatshëm ditën e hënë. Kjo është një ngjarje e madhe për PD-në, sepse përmes primareve, shtrijmë pluralitetin drejt partisë.Hapja e partisë është një kusht themelor. Po punohet me intensitet. Edhe vetë primaret janë një procedurë demokratike për hapjen e partisë, pasi do kenë mundësi të kandidojnë të gjithë ata që kanë projektin, formimin dhe reputacionin për t’u votuar si qytetarë të parë.Krahas kësaj, po krijohen departamentet ku po angazhohen intelektualë të shquar dhe ekspertë të mirënjohur. Hapja ka nisur dhe do realizohet si kusht për fitoren e PD-së”, tha ai. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama: Kujdesi ndaj mjedisit, investimi më i mirë për Shqipëri të pastër
Artikulli tjetërRama: Lamtumirë i madhi Sali Shijaku