TIRANË, 10 shtator /ATSH-I.Vata/- Partia Demokratike ka drejtuar sot pesë pyetje për SPAK-un në lidhje me akuzën e blerjes së medieve nga mafia e inceneratorëve.
Në një deklaratë për mediet anëtari i Këshillit Kombëtar, Jamarbër Malltezi shprehet se dokumenti që po paraqesim sot është episodi i dytë i serialit të blerjes së medies dhe bosëve të saj nga mafia e inceneratorëve.
“Ky dokument tregon se si drejtori i madh, miku i Ramës, ish-ministri socialist Ben Blushi, e çoi gruan deri në Bullgari që të krijonte nga hiçi një kompani guackë. Partnerët ishin ‘çunat e mirë të inceneratorëve’, që më pas u bënë ‘plehrat në kërkim ndërkombëtar’. Ne, nga kjo foltore i kemi etiketuar si bosët e mafias së plehrave, sepse skema që krijuan, ku përfshiheshin medien, qeveria dhe kompani offshore, është qartësisht mafioze. Kompania që Blushi hapi në Bullgari, pa asnjë kapital, pa asnjë përvojë, i duhej mafies se plehrave për punë të mëdha, një ndër të cilat ishte blerja e heshtjes se medieve. Dokumenti tregon se kompania është e ndarë në tri pjesë të barabarta në zotërim të Blushit, Mirel Mertirit dhe Klodian Zotos”, tha ai.
Malltezi drejton pesë pyetje për SPAK-un, që luan shurdhmemecin dhe as sheh dokumente e as dëgjon fakte.
“Sa milionë euro nga paratë publike të shqiptarëve kanë përfunduar te kjo kompani në Bullgari? Çfarë ekspertize ka ofruar kjo guaca në Bullgari, me pronarë Blushin dhe mafiozet e plehrave? A është përdorur edhe kjo guaca ne Bullgari për pastrim parash dhe zhdukje gjurmësh se parave publike? A është përdorur kjo guacka edhe për blerje të heshtjes së medieve? A ka vepër penale, kur paratë publike të shqiptarëve përfundojnë në guaca për të zhdukur grabitësit e vërtetë të parave? Apo është përgjigje shumë komplekse? SPAK-ut i urojmë fundjavë të mbarë, ta gëzojë heshtjen e zgjatur! Medies që hesht kur digjen miliona euro të shqiptarëve, vetëm se kanë marrë edhe ata pjesën e tyre, i urojmë shërim të shpejtë!Çunave dhe gocave në kërkim ndërkombëtar, u themi të kenë durim: ju mund të fshiheni, por nuk do të shpëtoni”, shprehet ai.





















