TIRANË, 8 shtator/ATSH/ Kryeministri Edi Rama mikpriti sot në takim Presidentin e Republikës së Italisë Sergio Mattarella, i cili ndodhet në vizitën e tij të parë zyrtare në vendin tonë.
Duke falënderuar Presidentin italian për vizitën, Kryeministri Rama vlerësoi se Italia ka qenë dhe do të mbetet një vend mik dhe partner kyç i Shqipërisë, në rrugën e zhvillimit ekonomik, si dhe një mbështetëse e vendosur e rrugëtimit të saj europian.
Kryeministri Rama dhe Presidenti italian Mattarella diskutuan mbi bashkëpunimin e frytshëm mes vendeve në fushën e bujqësisë, turizmit, arsimit, shërbimeve, si dhe dakordësuan angazhimin për vijimin e një bashkëpunimi edhe më intensiv në këto fusha, me interes të ndërsjellë mes vendeve.
Kryeministri Rama ndau në rrjetet sociale fotoalbumin e takimit me Presidentin Mattarella.
Më herët sot, Presidenti Mattarella u prit me ceremoni shtetërore nga presidenti Begaj në Pallatin e Brigadave.
Presidenti Mattarella mbërriti pasditen e djeshme në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas, ku u prit nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi dhe ambasadori italian në vendin tonë, Fabrizio Bucci.
Mattarella shoqërohet në këtë vizitë nga ministrja e Universitetit dhe Kërkimit Shkencor, Maria Cristina Messa.
/m.m/j.p/r.e/























