PRISHTINË, 5 shtator /ATSH/ Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka deklaruar se në rastin e 11- vjeçares ka pasur dështime të njëpasnjëshme të institucioneve përgjegjëse.
Ai ka njoftuar se ka kërkuar edhe nga Inspektorati Policor që të ftohen si dëshmitarë të gjithë hetuesit policor të përfshirë në këtë rast.
Madje, ai në konferencë për media bëri të ditur se e mitura ka qenë e është dhunuar seksualisht përgjatë një viti.
Para medieve, ai ka thënë se rasti i dhunimit seksual i 11-vjeçares është i rëndë dhe do ta hetojnë deri në fund.
“Kemi kuptuar se nuk bëhet fjalë për një rast, fatkeqësisht nuk bëhet fjalë as për dy raste. Por, bëhet fjalë për më shumë raste të keqpërdorimit dhe dhunimit të miturës 11-vjeçare. Unë kërkesën kryeshefit të Inspektoratit Policor të Kosovës ia kam bërë drejtpërdrejt, në mënyrë që të gjithë të përfshirët në këtë rast, hetuesit policorë të thirren në cilësinë e dëshmitarit në mënyrë që institucionet e Kosovës, i gjithë publiku, të informohet drejt mbi atë se çfarë ka ndodhur, mbi atë se çfarë institucionet e Republikës së Kosovës kanë ndërmarrë, mbi atë se çfarë institucionet e sigurisë së Kosovës po ndërmarrin dhe po ashtu që sa më shpejt që është e mundur, urgjentisht të dalim me të gjitha gjeturat e këtij rasti, jashtëzakonisht të rëndë”, deklaroi Sveçla.
Ai theksoi se janë disa raste të keqpërdorimet e të miturës, ai tha se e mitura nga Prishtina është dhunuar seksualisht gjatë një viti.
“Nuk mund të them saktësisht, meqenëse çështja është nën hetim. Por, mund të them se është mbi një vit…. Unë po ju them se çfarë ne jemi duke hetuar, indikacionet e para, apo informatat janë se kjo e mitur është dhunuar për më shumë se një vit”, ka shtuar Sveçla.
I pyetur se a ka dështuar Policia e Kosovës në rastin e 11-vjeçares, ministri Sveçla deklaroi se ka ftuar kryeshefin e Inspektoratit që të hetojë të gjitha dështimet eventuale. Ai u shpreh se nuk do të amnistohet askush dhe do të hetojnë deri në fund të gjithë përgjegjësit e këtij rasti.
“Të gjitha informatat e deritanishme na tregojnë për dështime të njëpasnjëshme të institucioneve përgjegjëse për të mbrojtur së pari këtë të mitur. E pastaj edhe për të identifikuar se çfarë ka ndodhur dhe për të identifikuar të gjithë dhunuesit, të cilët ende jo të gjithë nuk janë arrestuar. Unë pres që Policia e Kosovës, nën direktivat e prokurorit aktual të angazhohet maksimalisht, që e gjithë e vërteta të zbulohet në mënyrë urgjente”, u shpreh ai.
Po ashtu, Sveçla në konferencë për media nuk është përgjigjur nëse janë të njëjtë zyrtarët policorë që po trajtojnë të gjitha rastet e 11-vjeçares, duke theksuar se kjo është pjesë e hetimeve.
Në fund të gushtit, dyshohet se 11-vjeçarja është dhunuar seksualisht për shtatë orë radhazi nga pesë persona. Këta të fundit janë arrestuar dhe po mbahen në paraburgim prej 30 ditësh.
Po ashtu, ditëve të fundit është raportuar se e njëjta ishte keqpërdorur seksualisht nga gjashtë persona të tjerë.
Më 1 shtator janë arrestuar gjashtë persona, si të dyshuar për trafikim, dhe shërbime seksuale të viktimës së trafikimit. /Sh.Pajaziti























