Ballina Flash

Rama: Lara Coluturi, supertalent i pistës së skive

TIRANË, 27 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot shembullin e skiatores Lara Coluturi, e cila në garën e parë të skive në Kili pas marrjes së nënshtetësisë shqiptare është renditur e para.

Duke vlerësuar talentin e skiatores Colturi, Rama tha se ka ardhur koha të investohet pak nga pak për infrastrukturën e nevojshme në vend për sportin e skive.

“Ka edhe kështu. Lara është një supertalent i pistës së skive, vajza e një skiatoreje kampione të Italisë, me të dy prindërit të dashuruar pas Shqipërisë si edhe ajo vetë, e me ëndrrën për ta ngjitur flamurin kuqezi në majë më të lartë të botës. Në garën e parë pas marrjes së nënshtetësisë shqiptare Lara Colturi është renditur e para dhe me urimin që ajo të ketë mbarësinë e suksesin që dëshiron, uroj për të gjithë skuadrën tonë kombëtare të skive, krijuar me vizion e pasion nga kreu i Federatës Shqiptare të Skive, Elvis Toçi, me vajza e djem të talentuar emigrantësh në veriun e Italisë, që të rritet e forcohet për ta nderuar Shqipërinë edhe në këtë sport, ku ka ardhur koha të investojmë pak nga pak për infrastrukturën e nevojshme në vendin tonë”, u shpreh Rama në një postim në rrjetet sociale.

Italiania që përfaqësoi Shqipërinë në garën në Kili u rendit në vendin e parë, në një garë ku morën pjesë 40 skiatorë. Ajo la pas vendin e dytë me mbi 6 sekonda, ndërsa arriti rekordin me 28.5 pikë për Shqipërinë.

/k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBRUKSEL – BE dënon sulmin ajrore në kopshtin e fëmijëve në Etiopi
Artikulli tjetërPërkujtohet albanologu Gustav Meyer, provoi se shqipja i përket familjes indoevropiane