Ballina Aktualitet

Grada kolonel për kampionët botëror

TIRANË, 27 gusht/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama informoi sot se në shtator do të shkoj në Kuvend ligji që parashikon dhënien e gradës kolonel për kampionët botërorë në sporte”.

Gjatë ceremonisë së organizuar në kryeministri për nderimin e boksierit Florian Marku, Rama tha se “tashmë është përmbyllur konsultimi publik, dhe ligji parashikon dhënien e gradave kolonel për sportistë si Luiza Gega, Briken Çalja apo kampioneve olimpike të Kosovës, deri në daljen në pension.

“Këta të 4 do të jenë kolonel dhe do të paguhen si kolonel në Ministrinë e Mbrojtjes. Do të punojnë në një strukturë speciale mentorësh të ushtarëve dhe oficerëve tanë për t’u ushqyer atyre frymën e kampionit, shpirtin e fituesit, ambicien e suksesit dhe për t’u treguar se të qenit shqiptar dhe të qenit përfaqësues i flamurit kuqezi në çdo fushë nuk është vetëm një nder, por edhe një motiv shumë i fortë për të bërë sukses”, tha Rama.

Në përfundim, Rama tha se “kur flitet për sportin ne të gjithë jemi në borxh me vendin, rininë dhe fëmijët e këtij vendi”.

“Shumë vite kaluan dhe një gropë e madhe u hap në këtë drejtim. Por kur flitet për sportin është mirë që të mos flasë askush nga këta që jo nuk vunë një gozhdë, por e panë gropën të hapej dhe në rastin më të mirë ishin indiferent, ose në rastin më të keq kontribuan që gropa të thellohej. Ky është viti kur ne do t’i japim një shtysë lëvizjes së re sportive duke angazhuar mbi 650 skuadra volejbolli e basketbolli në sistemin tonë arsimor”, tha Rama.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCeremoni nderimi për Markun, Rama: S’ka më sportistë të braktisur, sistem shpërblimesh me vendim qeverie
Artikulli tjetërVeliaj: Krenar për triumfin e Florian Markut në Tiranë