ROMË, 18 gusht /ATSH-ANSA/ – Një valë e fortë e motit të keq po godet veriun e Italisë, çka ka shkaktuar deri tani dy viktima dhe dëme të konsiderueshme materiale.
Shi, breshër dhe erëra të forta në Toskanë dhe Liguria, me dy të vdekur në Luka dhe Karrara.
Në të dyja rastet viktimat janë goditur nga pemët e rëna gjatë stuhive.
”Në rastin e parë, viktima është një burrë, në tjetrin një grua për të cilën ka pasur përpjekje të dëshpëruara për t’i risjellë në jetë. Katër persona të tjerë u plagosën në ‘Camping Italia’ në Marina di Masa, sërish për shkak të rënies së pemëve”, thanë shërbimet zjarrfikëse.
”Deri tani janë kryer mbi 150 ndërhyrje. Në Liguria një stuhi i çoi kabinat e plazheve në linjën hekurudhore. Dëme edhe në zonën e Ferrarës, ku një vinç ka rënë mbi shtëpitë. Breshëri më pas shkatërroi një sërë të korrash në zonën e Specinos”, shtuan ato.
Tre persona u plagosën në Fornaçi di Barga për shkak të shkëputjes së një çatie gjatë stuhisë që përfshiu Toskanën mëngjesin e sotëm. Në Borgo a Moxano era ka shkaktuar dëme të mëdha në qendrën e të moshuarve. Ndërprerje të energjisë elektrike janë regjistruar në shumë zona të provincës së Lukas./ a.jor.























