TIRANË, 17 gusht /ATSH-I.Vata/ Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj kujtoi sot 73-vjetorin e masakrës komuniste në Qafën e Valmirit në Mirditës, ku u ekzekutuan 14 persona.
Alibeaj shprehet se në 17 gusht 1949, kriminelët komunistë iu vërsulën Mirditës, duke ushtruar atje terrorin më të madh të diktaturës komuniste.
“Nga familjet më me emër të Mirditës, 10 burra u pushkatuan e 4 u varën në litar, 12 të tjerë u dënuan me burgime të gjata, 300 familje u internuan në kampin famëkeq të Tepelenës.Për Mirditën, si vatër e katolicizmit dhe rezistencës aktive ndaj komunizmit, masakra e Qafës së Valmirit do të shënonte fillimin e një persekutimi masiv, pothuajse gjysmë-shekullor gjatë diktaturës”, tha ai.
“Ajo krahinë pësoi gjenocidin komunist më mizor në Shqipëri, faji i vetëm i së cilës ishte rezistenca ndaj diktaturës. Kujtimi dhe respekti ndaj viktimave të asaj masakre, përkujtohet çdo 17 gusht nga familjarë dhe pasardhës të tyre. Si dëshmi e identitetit historik, ngadhnjimit mbi të keqen dhe përkushtimit për të nxjerrë të vërtetën, që eshtrat e viktimave të prehen në paqe, që shpirti i tyre të pushojë i qetë në parajsë e që të gjallët të mbajnë fort në zemër vlerat e lirisë dhe besimit në zot!I paharruar kujtimi i tyre! Shpirti i tyre u prehtë në altar të parajsës”, theksoi Alibeaj.
Masakra e Qafës së Valmirit në Mirditë njihet si një prej krimeve më të rënda të regjimit komunist. 10 të pushkatuar e 4 të varur në litar.
14 të pafajshëm, më i riu 24 e më i vjetri 67 vjeç, u ekzekutuan në prani të qindra banorëve, 17 gushtin e 1949-ës, pas një hetimi vetëm njëjavor. Pas masakrës së Qafës së Valmirit qindra familje të zonës u internuan në kampin e Tepelenës, ku pak prej tyre ia dolën t’i nxirrnin fëmijët të gjallë.
/j.p/r.e/























