Ballina Aktualitet

Kërkesa e Osmanit për traktat mbrojtjeje, Begaj: Do të punoj për ta çuar përpara

TIRANË, 16 gusht/ATSH/ Presidenti Bajram Begaj deklaroi sot se do të punojë intensivisht për të çuar përpara kërkesën e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, që dy vendet të nënshkruajnë një traktat për mbrojtjen e njëra-tjetrës në rast rreziku.

Në një intervistë në medie, në përmbyllje të vizitës zyrtare dyditore në Kosovë, Begaj u shpreh se Shqipëria do të jetë gjithmonë kontributore për sigurinë e Kosovës, dhe qenia e KFOR-it, në Kosovë, është një garanci e shtuar për sigurinë në rajon.

“Është një ide fillestare, e cila duhet trajtuar me kujdes nga institucionet përkatëse. E mirëkuptoj presidenten Osmani dhe do të punoj intensivisht që ky traktat, bazuar në dritaren ligjore, të avancojmë me mundësinë e arritjes së një gjëje të tillë. Por mendoj se Kuvendet respektive do të jenë ato që do të vendosin. Me sa di, në fuqi është një deklaratë miqësie dhe bashkëpunimi mes dy vendeve”, tha ai.

Begaj deklaroi se në kushtet aktuale të sigurisë, dhënia e këtij mendimi për një traktat kërkon më shumë idenë që mbështetja e Shqipërisë duhet të jetë e nevojshme në situata të tilla.

“E pranova në bisedime se Shqipëria do të jetë gjithmonë kontributore për sigurinë e paqen në rajon, por jo vetëm, por dhe në Kosovë që është detyrë parësore e shtetit shqiptar. Qenia e KFOR-it në Kosovë është një garanci e shtuar për sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe në rajon”, tha Begaj.

Për qëndrimin e tij rreth iniciativës “Ballkani i hapur”, Begaj theksoi se çdo iniciativë rajonale, ku të gjithë shqiptarët janë bashkë, duhet të përkrahet.

“Shqipëria ka qenë faktor stabiliteti në Ballkan. “Ballkani i hapur”, nëse do të jetë një iniciativë që do të mbetet siç është përmendur nga SHBA, në planin gjithpërfshirës, të drejtës sovrane të çdo vendi, me pjesëmarrjen e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, me interesa qartësisht ekonomike, që do të bëjë të mundur shkëmbimin e lirë të mallrave dhe lëvizjen e lirë të njerëzve, heqjen e disa burokracive, dhe nëse do të përfitojnë të gjitha vendet, është i duhur. E di që Kosova dhe Shqipëria kanë qëndrime të kundërta rreth kësaj nisme, por kjo sjell diversitetin dhe zhvillimin. Çdo iniciativë rajonale, ku ne jemi të gjithë bashkë dhe të gjithë shqiptarët janë bashkë, duhet të përkrahet”, deklaroi Presidenti.

I pyetur se a po i bën të gjithë shqiptarët bashkë “Ballkani i hapur”, Begaj tha se do të duhet të merret kohë, të diskutohen gjërat hapur dhe vendimmarrjet duhet të jenë në interes kombëtar.

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakOKB – Më shumë se gjysmë milionë tonë drithëra eksportohen nga Ukraina 
Artikulli tjetërESTONI – Hiqet monumenti i epokës sovjetike